Goditet grupi që fuste drogë në IEVP-në e Durrësit.

Specialistët për Narkotikët kanë finalizuar me sukses operacionin e kodur “Psikologu”, në kaudër të të cilit kanë sekuestruar Heroinë, Kokainë, Cannabis Sativa, peshore elektronike, vlera monetare dhe telefona celularë.

Pesë persona janë në pranga, tre prej të cilëve janë arrestuar në flagrancë dhe dy të tjerë janë ndaluar.

Policia ka zbuluar mekanizmin se si futej dhe shpërndahej droga në burg. Gjithashtu gjatë hetimeve dy-mujore me metoda speciale, Specialistët kanë zbardhur dhe kanë dokumentuar gjashtë ngjarje ku të arrestuarit janë të implikuar. Operacioni është finalizuar një ditë më parë, më datë 27.07.2017.

Në këtë grup, janë të përfshirë psikologu i IEVP-së, një punonjës në lokalin e burgut si dhe të burgosur, secili ne detyrat e tyre përkatëse, të korrierit, furnizuesit dhe ndërmjetësit.

Janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

•Arjan Belishova 49 vjeç, banues në Durrës, Psikolog në IEVP Durrës

•Astrit Hushi 50 vjeç, banues në Durrës

•Saimir Zotkaj 32 vjeç, banues në Durrës, i  burgosur në IEVP Durrës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Janë ndaluar me iniciativë shtetasit:

• Serxhio Shtjalshi 24 vjeç, banues në Durrës, shitës në IEVP Durrës;

•Sodiol Duma 38 vjeç, banues në Durrës.

Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin fusnin lëndë narkotike në ambientet e IEVP-së Durrës.

Mekanizmi i ngjarjes:

Shtetasi Astrit Hushi (i dyshuar në rolin e ndërmjetësit) siguronte lëndën narkotike te shtetasi Sodiol Duma (i dyshuar në rolin e furnizuesit) dhe ia jepte shtetasit Arjan Belishova (i dyshuar në rolin e korrierit), me detyrë psikolog në IEVP Durrës , i cili e fuste në ambientet e IEVP-së.

Shtetasi Arjan Belishova ia dorëzonte lëndën narkotike shtetasit Saimir Zotkaj, i cili është i burgosur në IEVP-në Durrës. Saimir Zotkaj (i dyshuar në rolin e shpërndarësit) e shpërndante lëndën narkotike në ambientet e IEVP-së.

Shtetasi Serxhio Shtjalshi, punonjës në lokalin e IEVP-së, merrte lekët nga shtetasi Saimir Zotkaj dhe ia jepte shtetasit Astrit Hushi, lekë me të cilat ky i fundit blinte lëndën narkotike dhe paguante psikologun.

Më datë 27.07.2017, shtetasi Astrit Hushi është kapur në flagrancë duke i dhënë lëndën narkotike shtetasit Arjan Belishova, të ndarë në doza, si edhe një sasi lekësh për punën që do kryente A. Belishova, duke e futur lëndën narkotike në ambientet e IEVP-së.

Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

• 42.5 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojt Heroinë;

• 13 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë;

• 36 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa;

• 2 peshore elektronike;

• 3 250 € dhe 27 500 lekë të reja;

• 5 telefona celularë.

Gjashtë ngjarjet ku janë të implikuar

Nga veprimet hetimore të kryera janë zbardhur dhe dokumentuar 6 ngjarje, ku shtetasit e mësipërm dyshohet se janë të implikuar, konkretisht si më poshtë vijojnë:

1. Më datë 05.02.2017, në ambientet e IEVP Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 68 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

2.  Më datë 19.02.2017, në ambientet e IEVP, Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 34 gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

3. Më datë 28.02.2017, në ambientet e IEVP Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110.5  gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

4. Më datë 18.03.2017, në ambientet e IEVP Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 35.5  gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

5. Më datë 17.05.2017, në ambientet e IEVP, Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 34.5  gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

6. Më datë 05.07.2017, në ambientet e IEVP Durrës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1.5  gr. lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.

Hetimet vijojnë për shtetas të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit” dhe “Moskallëzimi i krimit" në bashkëpunim.