28 prill 2015 – Bashkim Kadiu si publicist ka botuar dhjetra e dhjetra artikuj si në shtypin lokal ashtu edhe në disa gazeta kombëtare me orientim të djathtë. Bashkimi është pinjoll i një familjeje qytetare durrsake me më së paku 200 vjet histori. Z. Kadiu ka qenë mjaft aktiv edhe me nismat qytetare, që kanë të bëjnë veçanërisht me mbrojtjen e trashëgimisë dhe vlerave kulturore dhe historike të Durrësit. Bashkimi me shumë xhentilesë pranoi ftesën e agjencisë së lajmeve “durreslajme.com” për të dhënë opinionin e tij për zgjedhjet e ardhshme lokale në Durrës dhe për “aktorët” pjesëmarrës në këto zgjedhje.
Ja se si shprehet publicisiti Kadiu:
Për Vangjush Dakon
Qytetaria durrsake duhet t’i thotë ndal “virusit” Dako. Unë po i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet më të fundit të trajtimit të qytetit të Durrësit nga ky farë kryebashkiaku, që nuk njeh situatën e qytetarisë durrsake, që nuk njeh vlerat e saj, madje që fatkeqësisht mohon edhe historinë e lashtë të qytetit, ku ende është kryebashkiak. Sot kemi arritur në atë fazë, që duhet t’i themi ndal këtij plangprishësi, këtij njeriu pa vlera dhe pa taban qytetar. Po të shohësh zhvillimet dhe ngjarjet më të fundit në Durrës në çdo veprim të Dakos vëren se ka një tendencë shkatërruese, betonuese dhe jo të përshtatur me zhvillimet e kohës. Ky qëndrim për mua dhe për rrethet shoqërore, ku diskutohet qëndrimi i Dakos dhe veprimet e tija krejt të papërgjegjshme është pjekur ideja se ka ardhur koha që t’i themi ndal këtij farë Dakoje, që po na e shkatërron Durrësin çdo ditë e më tepër. Duhet me patjetër të mbështeten kërkesat e qytetarisë durrsake, që dëshiron një qytet, ku të ketë përparësi mjedisi dhe sidomos pastërtia, gjithnjë duke mos lënë pas dore edhe zhvillimin social-kulturor të qytetit. Pikërisht këtyre zhvillimeve komsomolasi Dako u ka vënë një pikëpyetje të madhe. Ai si të thuash e ka çarmatosur qytetarinë durrsake duke e injoruar atë, duke mos dialoguar me të me preoptencën dhe arrogancën, që i shtohen dita-ditës. Pikërisht të tilla zhvillime dhe të tilla qëndrime të këtij Dakos, na kanë shtyrë t’i themi stop “virusit”, që gradualisht po e shpërbën qytetin tonë me një kulturë e histori thuajse 3 000-vjeçare. Nga stuhia shkatërruese Dako në qytet nuk po ngel më thuajse asnjë gjurmë e qytetërimit antik, për shkak të betonit të firmës “3 D”, për shkak të përfitimit privat, që e ka emrin: korrupsioni DAKO!
Për Grida Dumën
Durrësi si qytet i vlerave duke ruajtur me fanatizëm kulturën, edukatën e sjelljen qytetare si në çdo zgjedhje edhe këtë radhë ka seleksionuar më të mirën duke i dhënë qytetit një kandidaturë të denjë për qytetarinë durrsake. Grida është një vajzë Durrësi, pinjolle e një familjeje autoktone. Ajo është e njohur për qëndrimet e saja pozitive edhe për shkak të aktivitetit të saj të shpeshtë publik dhe pranisë në mediat e shkruara dhe elektronike. Mund të them se Grida është kandidatura e duhur për ta shpëtuar Durrësin nga tentakulat e betonta të këtij Dakos.
Arqile Gorrea dhe Ardian Muka
Arqile Gorrea do të mbetet në kujtesën e qytetarisë durrsake si një nga figurat më të spikatura të administratorit të zot të qytetit. Ai është njeri me potencial të madh dijesh, njëkohësisht menaxher i shkëlqyer i kohës dhe i lidhur ngushtë me qytetarinë durrsake, së cilës i përket prej tre brezash. Arqilea dallohet për shpirtin e vet fisnik, dhe si njeri operativ për zgjidhjen e problemeve. Me këtë imazh mjaft pozitiv, që ka krijuar Arqilea, durrsakët autoktonë, ku bëj pjesë dhe unë e vlerësojnë shumë dhe për ne Gorrea do të mbetet djalë Durrësi, jo më kot ai ka marrë edhe certifikatën me titullin “Arqile Durrsaku”. Arqilea si pinjoll i një familjeje autoktone, qytetare dhe intelektuale durrsake, ka një rreth pune dhe miqësie të gjerë, që mbahet mend nga durrsakët për punët e mira , që ka bërë për Durrësin dhe së bashku me përfaqësues më të rinj të qytetarisë durrsake si Ardian Muka do të dinë t’i thonë ndal “virusit” Dako. Kujtoj këtu që edhe Ardiani i përket një familjeje sa qytetare aq edhe intelektuale e me bekgraund patriotik. Pikërisht të tilla vlera njerëzore dhe qytetarie kontrastojnë ndjeshëm me këtë Dakon, që pasi doli nga baltrat e ish-zonës kënetore të Shkozetit u bë padron dhe shkatërrues i Durrësit.
Për Osman Stafën
Është me të vërtet një shans për qytetarinë durrsake, që PD-në në vitet e opozitës e drejton Osman Stafa nja nga dhjetoristët më të njohur të ish-Institutit të Lartë Bujqësor Kamëz. Osmani ishte në radhët e para të studentëve, që mundën frikën e komunizmit dhe dolën në rrugë për të kërkur Liri dhe Demokraci. Stafa është menaxher dhe organizator i palodhur. Ai është komunikues direkt me njerëzit, i cili ndër të tjera për shkak të thjeshtësisë dhe modestisë, që e karakterizojnë ka zënë vendin e merituar për ta cuar në fitore PD-në durrsake. Po, po një fitore e ngjashme me ato të viteve 1991-1992.
/Gj. Th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





