Publikohen shënime të ish-shefit të FBI-së, James Comey, nga bisedat private me presidentit amerikan Donald Trump. Mediat amerikane siguruan 15 faqe të këtyre shënimeve, pak pasi ato kishin kaluar nga Departamenti i Drejtësisë në Kongres.
Në këto shënime të ish-kreut të FBI-së, i shkarkuar disa muaj më parë nga Trump, përshkruhen ballafaqimet e Comey-t me Trumpin, ku ky i fundit shprehet i shqetësuar për një dosje të pasur të Inteligjencës kundër tij, si edhe i kishte shprehur rezerva për asokohe këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn. Sipas Comey-t, Trump i kishte thënë se Flynn ka probleme të mëdha në aftësinë e të gjykuarit, duke i kërkuar shefit të FBI-së t’i japë fund hetimit për të, për lidhjet me rusët.
Comey përmendte në shënimet e tij edhe një bisede mes Vladimir Putin dhe Donald Trump, ku shefi i Kremlinit i kishte thënë miliarderit amerikan përpara se të zgjidhej president, se në Rusi gjenden prostitutat më të mira në botë.
Trump është akuzuar shpesh për marrëdhënie me prostituta ruse, por këto akuza nuk janë vërtetuar asnjëherë.
Pak ditë më parë James Comey publikoi librin autobiografik ku përshkruante Donald Trumpin si një president “imoral, pa asnjë lidhje me të vërtetën dhe një lider që udhëheq me një stil mafioz”. Por Trump akuzoi ish-shefin e FBI-së për gënjeshtra dhe rrjedhje të informacionit të klasifikuar.