4 dhjetor 2014 – Policia italiane në mëngjesin e së mërkurës datë 3 dhjetor 2014 goditi një bandë shqiptarësh, që merej me vjedhje banesash e dyqanesh, me shfrytëzim prostitucioni dhe ishte e pajisur me armë zjarri.
Banda kishte kryer së paku 23 vjedhje, vetëm gjatë muajit nëntor, në qytetin e Bolonjës, por edhe në Firence, Piacenca dhe Ravena. Banda kishte vjedhur para kesh, sende të arta, veshje të markave të njohura, pajisje elektronike, orë dore të markave të shtrenjta si edhe një pistoletë tip sub-kompakt të markës Berreta me 50 fishekë. Vetëm në vjedhjen e kryer në qytezën Monselice të Provincës së Padovës, banda siguroi para kesh dhe arturina me vlerë 40 000 euro.
Një nga anëtarët e bandës merrej edhe me shfrytëzimin e prostitutave shqiptare dhe moldave.
Policia për të zbuluar dhe arrestuar tërë anëtarët e bandës kishte përdorur teknikat speciale të hetimit si përgjim telefoni, banese, makinash dhe përgjimet mjedisore. Ishin vënë nën përgjim facebook-et e banditëve dhe adresat e tyre te e-mailit.
Tri makinave të bandës, policia u kishte instaluar GPS për t’i mbajtur më mirë nën mbikqyrje. Në sajë të një mbikqyrjeje të tillë, të martën në mbrëmje, njëri nga banditët u arrestua në Portin e Barit, ndërsa po imbarkohej në një traget të kompanisë Adria Ferries me destinacion Durrësin.
/gj.th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





