JAPONI – Një imazh i rrallë që tregon renë e tymit atomik të lëshuar nga bomba e hedhur mbi Hiroshima është zbuluar në një shkollë fillore të qytetit japonez. Faktin e ka bërë të ditur kuratori i Muzeut të Paqes së Hiroshimës.

Imazhi bardh e zi sipas ekspertëve është shkrepur rreth gjysëm ore pas shpërthimit të bombës atomike më 6 gusht 1945. Personi që ka shkrepur foton ndodhet rreth 10 km larg epiqendrës së zonës, ku shpërtheu bomba e hedhur nga ushtria amerikane.

Në foto duket mjaft qartë tymi që ngrihet në ajër, i ndarë në dy re të ndryshme, njëra sipër tjetrës. Fotografia u gjet mes disa objekteve dhe dokumenteve që lidhen me këtë ngjarje dhe janë pjesë e arkivit të shkollës fillore Honkawa.

Deri tani të gjitha fotot e shkrepura nga shpërthimi i bombës atomike në Hiroshima ishin realizuar nga lart nga ushtarët amerikanë që morën pjesë në këtë mision.