Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar një foto ku pretendon se shfaqet ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri me biznesmenin e arrestuar para dy ditësh në Elbasan, në makinën e të cilit u gjetën 800 mijë euro dhe dy patenta të Tahirit.
“Sajmir Tahiri me Orestin e 1 milion dollarëve cash! Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e qytetarit dixhital.
‘Foto e fundit Saja me Orstin, komisariati nr.6.
Kapur me mbi 1 milion dollarë kesh ne Elbasan dhe dy patenta të lundërtarit të njohur Saimir Tahirit e që policia e mban të fshehtë. Administratori përftues i tenderave për të pastruar paratë e krimit, nuk justifikon dot burimin e parave.’”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
Më herët të premten, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se dy ditë më parë në Elbasan është arrestuar një person me 800 mijë euro dhe dy patenta me emrin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pasi nuk iu ndal postbllokut të policisë.
Kryedemokrati akuzoi Drejtorin e Policisë Haki Çako dhe ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj për fshehje të kësaj ngjarje kriminale me urdhër të Edi Ramës.





