Ditën e sotme ka nisur grumbullimin edhe Kombëtarja U19, e drejtuar nga trajneri Nevil Dede.  Kuqezinjtë janë grumbulluar në Shkodër, ndërsa në horizont janë dy sfidat miqësore ndaj Bosnjë Hercegovinës më datë shtatë dhe nëntë shtator, takime që do të luhen në Zenicë.

Nën urdhrat e teknikut Dede janë 23 lojtarë, ndërsa bien në sy ekipet në të cilët aktivizohen futbollistët shqiptarë. Kështu, me ekipet e të rinjve të klubeve prestigjioze të Serisë A, aktivizohen Armelo Doda me Sampdorian, Kristian Shiba me Sasuolon, Klajdi Pici me Kaljarin, Elmando Gjini me Bolonjën, Kleis Bozhanaj me Empolin dhe Brijan Ibrahimi i cili fazën përgatitore e ka kryer me Breshian, por tashmë është transferuar te Torino.

Ndërkaq, bie në sy edhe Marvin Çuni, i cili është pjesë e gjigandëve të Bajern Mynih. Nga Kategoria Superiore pjesë e listës është talenti i Tiranës, Ernest Muçi. Ndërkohë, në muajin nëntor do të fillojnë edhe ndeshjet kualifikuese ku U19 do të përballet me Belgjikën, Greqinë dhe Islandën.