Sot pritet të publikohet progres-raporti për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mbi ecurinë e reformave të integrimit drejt Bashkimit Europian.
Raporti do të prezantohet nga komisioneri europian për zgjerimin Johanes Han, përpara deputetëve të komisionit të jashtëm të parlamentit europian rreth orës 11.
Ky raport i paraprin vendimit që pritet të merret në samitin e 20 dhe 21 qershorit në Bruksel, ku pritet të vendoset për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Pak javë më parë në Tiranë shefja e politikës së jashtme Federika Mogherini tha se vendi ynë i ka përmbushur kushtet për negociatat, duke përmendur si shembull reformën në drejtësi.
Përmbushjen e detyrimeve e ka theksuar edhe kryeministri Rama që u shpreh se Shqipëria e mori një vit më parë rekomandimin për hapjen e negociatave duke nisur procesin screning dhe se çdo shtyrje për në vjeshtë nuk lidhet me vendin tonë, por me problemet e brendshme të vetë Unionit.
Sa i përket çeljes së negociatave për Shqipërinë situata nuk ka ndryshuar me Francën si një kundërshtare me peshë e çeljes së negociatave, e përkrahur nga vende si Holanda dhe Belgjika.





