Edhe pse kryeministri Edi Rama e ka përmendur tashmë publikisht se fatura e tërmetit të datës 26 nëntor 2019 shkon afërsisht rreth 1 miliard Euro, nesër pritet të publikohet raporti përfundimtar i ekspertëve që kanë punuar për vlerësimin e dëmeve.

Nesër pritet të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp e ministrit Bledi Çuçi, në cilësinë e drejtuesit Qëndror të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile; Ambasadorit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca; Koordinatori të Përhershëm i OKB në Shqipëri, Brian J. Williams; përfaqësuesve të Bankës Botërore dhe ekspertëve që kanë punuar me raportin. Ndërkohë më 17 shkurt do të mbahet në Bruksel konferenca e donatorëve, për t’i hapur më pas rrugë programit të rindërtimit.

Mbetet për t’u parë se sa para do të japin ndërkombëtarët për rindërtimin. Shifra prej 1 miliard sipas disa ekspertëve duket disi e fryrë, megjithatë duhet pritur argumentimi i atyre që kanë punuar me raportin e vlerësimit të dëmeve.