7 tetor 2014– Deri tani, pamjet e përplasjes së Jules Bianchi nuk ishin publikuar, por së fundmi është shfaqur në web, momenti kur piloti i Marussias është aksidentuar dhe menjëherë ka bërë xhiron e botës në të gjitha mediat e mëdha. Në video duket momenti, kur traktori po largonte makinën e Sutil dhe Marussia e Bianchit vjen e përplaset me të, duke e lëvizur madje nga vendi mjetin dhe duke u përplasur më pas me murin mbrojtës. Gjithsesi në sfond duket dhe një flamur jeshil që valëvitet nga një prej komisarëve të pistës.
Pikërisht flamuri jeshil pritet të ndezë debate të mëdha, pasi në Formula 1 ai sinjalizon pistë të lirë dhe shpejtësi maksimale, ndërkohë që FIA pretendonte se po valëvitej flamuri i verdhë, që në fakt të paralajmëron të kesh kujdes. Në momentin e përplasjes, Bianchi ishte duke garuar me 150 kilometra në orë. Video e publikuar, pritet të ndezë debate të mëdha mbi mbarëvajtjen e garës, aq më tepër që gjatë garimit, braziliani Felippe Massa, po kërkonte me ngulm ndërprerjen e garës sepse shikueshmëria ishte shumë e ulët.





