Shqiptari, i cili ishte i shpallur në kërkim në të gjithë Evropën, është arrestuar nga policia italiane në Napoli.

Ai njihet si Genc Loku dhe është 26 vjeç. Sipas mediave italiane, ai i kishte shpëtuar disa herë arrestimit, por këtë here, falë një gafe të tij, ai është arrestuar nga policia. Në rrjetet sociale, ai kishte shpërndarë një fotografi ku paraqitej me shoqërinë e tij.

Policia e komisariatit të Castel Volturno (Caserta), falë kësaj fotografie, zbuloi se ai ndodhej në komunën Castellamare di Stabia (Napoli) dhe e arrestoi.

Prania në Itali e Lokut, i është raportuar që në vitin 2014 policisë italiane nga autoritetet shqiptare, që e kanë dënuar 26-vjeçarin me 4 vite burgim.

Asokohe, ai jetonte në komunën e Castel Voltuno, por arriti t’i shpëtonte prangave. Ndërkohë, për të u lëshua nga Gjermania një mandati arresti evropian për “krime kundër personit”, raporton ANSA.

Hetimet vijuan derisa i riu postoi fotografinë e tij online, që çoi edhe në arrestimin e tij.