Portali Faktoje.al ka dhënë para pak minutash një deklaratë publike lidhur me interesimin e madh që ka pasur mbi shpenzimet e publikuara të ministres së drejtësisë Etilda Gjonaj.
“Faktoje është një medium i ri i gazetarisë investigative, i themeluar dhe mbështetur nga USAID, me qëllim të informojë qytetarët dhe taksapaguesit shqiptarë sesi shpenzohen paratë e buxhetit të shtetit, sa të vërtetë janë politikanët në mbajtjen e premtimeve dhe në respektimin e ligjit gjatë ushtrimit të mandatit të tyre. Taksapaguesit amerikanë që kanë mbështetur deri më sot trajnimin e gazetarëve të rinj të Faktoje dhe media të tjera të ngjashme fakt-verifikuese në Evropë dhe Ballkan janë të bindur se transparenca dhe vërtetësia e informacionit janë vitale për një demokraci të shëndetshme. Faktoje e mbështet të gjithë punën në parimin e paanshmërisë dhe shërbimit me korrektësi ndaj qytetarëve shqiptarë”,- sqaron portali.
Më pas thuhet se kanë kërkuar të dhëna për udhëtimet dhe qëndrimet në hotele të ministrave të kabinetit dhe të kryeministrit për periudhën janar 2018 – qershor 2019.
Duket se e para për të dhënë informacion ka qenë Etilda Gjonaj.
“Ministria e Drejtësisë ka qenë e para që vuri në dispozicion brenda afatit të parashikuar informacionin e kërkuar dhe të detajuar. Faktet që kemi analizuar nga këto dokumente janë publikuar tashmë dhe janë vetë lexuesit ata që mund të vlerësojnë nëse shifrat e hoteleve dhe biletave të përzgjedhura nga ministria e Drejtësisë janë të pranueshme për një vend të varfër si Shqipëria”shkruhet në sqarimin e faktoje.al.
Ndërkohë shkruajnë se refuzojnë të bëjnë komente mbi deklaratën e ministres apo edhe deklaratës së gazetarëve që flasin për moshën e re të gazetarëve që kanë kryer investigimin.
Prej katër ditësh, portali faktoje.al publikoi disa nga faturat e kripura të hoteleve ku ka qendruar ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj. Nga Parisi në Berlin, Londër, Romë, Bruksel e gjetkë, ministrja e kishte standartin e fjetjes për një natë, nga 600 deri në 700 euro, një shifër shumë e lartë shpenzimesh për një vend të varfër si Shqipëria.





