Nëse vazhdimisht jeni duke punuar jashtë orarit dhe më shumë sesa rekomandohet, le t’ju rikujtojmë sa e rëndësishme është të gjeni një zgjidhje për të pushuar më shumë.

Hulumtimet e reja sugjerojnë se femrat që punojnë për orë të gjata janë më të rrezikuara nga depresioni, më shumë sesa meshkujt që punojnë në të njëjtin orar. Gjithashtu, hulumtimet thonë se edhe puna në fundjavë mund të jetë kontribuues i problemeve të ndryshme të shëndetit mendor.

Analiza e të dhënave me 22,000 punëtorë ka zbuluar se femrat që kishin punuar me orar të gjatë (më shumë sesa 55 orë në javë), kanë qenë 7.3% më të prira të kenë simptoma depresive sesa femrat që punojnë 35-40 orë në javë.

Shkencëtarët gjithashtu kanë theksuar se puna gjatë fundjavave lidhet me një rrezik më të lartë të depresionit te dy gjinitë, ku femrat që punojnë në vikend kanë 4.6% shanse të jenë më depresive, ndërkaq meshkujt 3.4%.

Ata kanë theksuar se lidhja mes punës në fundjavë dhe depresionit mund të jetë për shkak se ata që punojnë fundjavave gjithashtu kanë tendenca të bëjnë punë që paguhen më pak, ku depresioni është më prezent. Edhe pakënaqësia me punën mund të kontribuojë në ato ndjenja depresive.