Puna në shtet është lakmuar më shumë nga femrat në vitin 2022.

Të dhënat zyrtare të Departamentit të Administratës Publike (DAP) tregojnë se 61 për qind e aplikimeve për vendet vakante u bënë nga femrat, ndërsa meshkujt zunë vetëm 39 për qind të tyre.

Në raport me vitin paraardhës ka një rritje të aplikimeve nga femrat të cilat në vitin 2021 zinin 58 për qind të aplikimeve kurse meshkujt 42 për qind të tyre. Ndryshimet në këtë raport variojnë nga viti në vit.

Për vitin 2022 sipas të dhënave të DAP kishte në total 3926 aplikime ndërkohë që në plotësimin e shërbimit civil u emëruan 830 nëpunës.

Mosha mesatare e aplikantëve, 35 vjeç

Raporti tregon se mosha mesatare e atyre të cilët kanë arritur të kalojnë me sukses një procedurë konkurrimi për pranimin në shërbimin civil gjatë vitit 2022 ka qenë 34 vjeç.

“Krahasuar me moshën mesatare të aplikantëve, rezulton se ata që kanë kaluar me sukses procedurën e konkurrimit kanë një moshë mesatare më të madhe. Ndryshimi midis moshës mesatare të aplikantëve dhe atyre që kanë kaluar me sukses procedurën e pranimit, është relativisht i lartë, që tregon se kandidatët me një përvojë më të madhe janë më të suksesshëm në një procedurë konkurrimi”, vlerëson DAP.

Sipas raportit vihet re se për vitin 2022, janë rekrutuar nëpunës të rinj në administratën shtetërore nëpërmjet; (i) procedurës së pranimit në kategorinë ekzekutive; (ii) emërimeve nga lista fituese e kategorisë ekzekutive dhe; (iii) emërimeve nga jashtë shërbimit civil në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, gjithsej 443 nëpunës, ose 53% e totalit të emërimeve, nga të cilët 421, ose 51% e të gjitha emërimeve i përkasin kategorisë ekzekutive dhe 22, ose 3% i përkasin kategorisë së ulët dhe të mesme drejtuese.

Ndërkohë, përqindja e vendeve vakante të plotësuara me kandidatë nga jashtë shërbimit civil vetëm për kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese, ka qenë 9.4% e emërimeve totale në këto dy kategori.

Rritja në detyrë, mesatarja 38 vjeç

Raporti i DAP nënvizon se krahas të dhënave të përgjithshme të rekrutimit dhe aplikantëve, me vlerë është edhe kuptueshmëria e disa elementëve të profileve të kandidatëve.

“Ndaj dhe disa nga treguesit përqendrohen pikërisht tek mosha e aplikantëve, për kategori të ndryshme pozicionesh. Nga të dhënat vihet re se mosha mesatare e atyre që aplikojnë, pavarësisht llojit të procedurës, ka qenë 31 vjeç, ndërkohë, mosha mesatare e aplikantëve për t’u pranuar në shërbimin civil ka qenë 28 vjeç dhe mosha mesatare e atyre që aplikojnë për ngritje në detyrë ka qenë 38 vjeç”, thuhet në këtë raport. /Monitor