10 korrik 2015 – Puna intensive për infrastrukturën sportive nuk ka të ndalur. Nëse në ‘Elbasan Arena’ punimet janë për të kompletuar projektin fillestar të stadiumit, nuk mund të thuhet një gjë e tillë për punimet në stadiumet ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës dhe ‘Flamurtari’ të Vlorës.

Në mitikun e qytetit verior punimet janë në një fazë të avancuar, dhe duke hapur faqen zyrtare në Facebook të stadiumit ‘Loro Borici’ vëren që puna në tribunën qendrore ka ecur shumë. Paralelisht me punën për ndërtimin e kësaj tribune por edhe atyre pas portës lindore, është duke u punuar në prishjen e ambienteve të brendshme të stadiumit, që më parë shërbenin si pjesë e palestrave apo zyrave për shumësportëshin e Vllaznisë.

Ndërkohë në Vlorë pavarësisht temperaturave të larta e kanë marrë seriozisht rindërtimin e stadiumit duke nisur nga fusha. Në faqen zyrtare të ‘Flamurtarit’ në Facebook të gjithë presin lajme për ekipin e sezonit të ardhshëm, por klubi vendos të tregojë fazën e punimeve në këtë impiant.

Nisur nga serioziteti i punimeve si dhe cilësia e treguar në ndërtimin e tribunës qëndrore, pritet që Kategorisë Superiore, por edhe futbollit shqiptar t’i shtohet një tjetër stadium për t’u pasur zili, çka do të ngrejë akoma më lart cilësinë e sportit më të dashur edhe në Shqipëri.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/