Nga Gladiola  BUSULLA

Që në vegjëli, njëra ndër pyetjet që na drejtohet më shpesh është: Ç’do të bëhesh kur të rritesh?”.

“Puna është dashuria e bërë e dukshme”. Nisur nga kjo frazë e Khalil Gibran mbi punën duhet të bindemi për rëndësinë fondamentale të saj. Në pjesën më të madhe të kohës, ne e perceptojmë punën si anën tjetër të medaljes dhe nga e hëna në të premte ose në të shtunë, presim me padurim fundjavën, që më në fund të zhveshim “uniformën” dhe të veshim “veten”, të lirë nga detyrimet, duke harruar se puna në vetvete është jetë, është pasion, është krijimtari.

Çdo punë që nga kopshtaria e deri tek menaxhimi i kompanive të mëdha, të fisnikëron, të dhuron pavarësi në çdo pikëpamje; ndikon në përmirësimin e aftësive të tua dhe evoluimin personal. Puna është një çështje ekzistenciale; është ajo që të sjell të ardhura, të dhuron sadisfaksion dhe të përmbush së brendshmi.

Në ditët e sotme, kur kriza thellohet gjithnjë e më shumë dhe fjalët; punë, para, ekonomi janë bërë pjesë e pandashme e bisedave tona, do të ishte budallallëk t’i bënim bisht një oferte pune, për shkak se  mund të na duket "e përulur", gjithmonë nëse një punë mund të etiketohet e tillë.

Fatkeqësisht, po hasim një fenomen i çuditshëm. Puna fizike dhe zanatet po përçmohen nga brezi i ri. Në vend që të jetojnë, ata mbijetojnë; në vend që të punojnë e të përvetësojnë një zanat, preferojnë të bëjnë sikur studiojnë, dhe kështu gënjejnë veten e prindërit se i pret një karrierë brilante. Çdo lloj pune mund të shndërrohet në më të bukurën ose më të shëmtuarën në botë, kjo varet nga çka ne pretendojmë dhe realisht dimë të bëjmë.

Por jeta dhe koha selektojnë pa mëshirë. Ndaj duhet të vijojë ndërgjegjësimi kolektiv se një punë e paguar dhe e nderuar (çdo punë është e tillë) të jep ndjesi pozitive, të karikon me energji dhe stimulon të ardhmen tënde.

Puna promovon vlerat. Përmes saj mund të kontribuoni në shoqëri, dhe t’u tregoni të gjithëve se jeni qytetarë të denjë dhe ecni përpara me krenari.

Gjatë kohës që punoni, mund të zhvilloni aftësitë, të mësoni gjëra të reja dhe të krijoni eksperiencat tuaja të punësimit. Kur të ndiheni gati të nisni një punë më të mirë, atëherë përvojat e mëparshme do t’ju shërbejnë dhe nevojiten së tepërmi; si të komunikoni, si të zhvilloni prirjet tuaja, si të tregoheni sa më produktivë etj.

Pavarësisht nga këto argumente,  herë pas here, ne përballemi me opinionin monstruoz se “ai që punon nuk është aspak i zgjuar, kurse ai që spekullon dhe abuzon po”.  Për mua njerëzit e punës duhet të kategorizohen si humanistë; pasi ata ndihmojnë familjet e tyre, komunitetin dhe etnosin kulturor të popullit që i përkasin, kontributi i tyre rezonon ndër breza e dekada.

Puna nuk duhet konsideruar si ndëshkim hyjnor, por si mënyra e vetme dinjitoze për të jetuar në shoqëri. Ndoshta disa e asociojnë punën me Sizifin, i cili rrokullis gurin deri në majën e malit, por ai i rrëshket nga dora, e kështu në përjetësi, Sizifi duhet të rifillojë nga e para. Ç’fatalitet! 

Personalisht tek Sizifi gjej njeriun që sfidon madje dhe vetë perënditë, për të arritur qëllimet; shoh një qenie të pamposhtur, që djersa dhe sakrifica e fisnikërojnë.

Shpeshherë njerëzit identifikohen me punën që bëjnë, të cilën mund ta kenë ëndërruar, e kanë vokacion dhe i janë përkushtuar që kur ishin ende fëmijë. Por jo në të gjitha rastet, jemi kaq fatlumë! Gjithsesi të duash punën tënde, të motivon të kapërcesh vështirësitë dhe të fitosh betejat e vogla që na paraqet çdo e sotme, dhe na rezervon çdo e nesërme.

Një i papunë, në rastin më të mirë të mundshëm mund të krahasohet me një fëmijë i cili s’ bën asgjë; nuk luan, nuk vrapon, nuk mëson; praktikisht as nuk rritet e as nuk piqet. Ashtu dhe i rrituri, nëse s’punon nuk mund të gjejë forma korrekte për t’u shprehur, për të ndihmuar të tjerët apo për t’i mësuar ata. Në kaosin e jetës, përtacia është një dështim plus, ndërsa përbuzja e punës një gabim i pafalshëm, me një impakt fatal. Sepse puna na largon nga vesi, nga mërzia, nga uria.

Për të qenë të sinqertë të ngrihesh me shpejtësi në mëngjes, të vishesh e të pish diçka nxitimthi, të luftosh me trafikun, të presësh urbanin në shi nuk janë arsyet për të cilat lodhemi; por përmbushja e nevojave të ndryshme; materiale, psikologjike e emocionale, pikërisht këto na motivojnë të punojmë me përkushtim.

Moralizimet teprojnë, por sugjerimet e këshillat kurrë, ndaj po citoj Fisherin:

Njerëzit e sotëm mendojnë se puna do rregulluar në mënyrë të tillë që të sjellë sa më shumë fitim. Ky është mendimi i gabuar; sepse puna do rregulluar që t'i bëjë njerëzit fatlumë.

S’kam ç’të shtoj më tepër!

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/