Studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë ndërmarrë një nismë që këto 20 vitet e fundit është harruar thuajse tërësisht. Puna vullnetare, një nocion ky shumë i njohur gjatë viteve të regjimit komunist, nuk është aplikuar thuajse aspak në kohën e demokracisë. Duke parë këtë handikap të madh zyra e OSBE-së në vendin tonë, në bashkëpunim me ambasadën gjermane, që financoi projektin, angazhoi një grup studentësh të UAMD-së në punë vullnetare. Implementimi i këtij projekti iu besua zyrës së CSDS, në qytetin bregdetar. Projekti i financuar nga të huajt e që ka për qëllim t’i mësojë të rinjtë të japin kontributin e tyre në komunitet konsistonte në punën vullnetare të të rinjve në disa nga institucionet publike dhe private në qytetin e Durrësit, si dhe në trajnimin e tyre për njohjen e proçeseve vendimmarrëse dhe punën në grup.
Projekti gjeti përkrahje mes studentëve të universitetit të Durrësit, shumë prej të cilëve u shpërndanë në institucionet publike për t’u njohur nga afër me praktikën e punës dhe njëkohësisht për të ofruar shërbimin e tyre për qytetarët. 12 studentë të këtij universiteti, përgjatë gjithë muajit korrik, kanë kryer punë vullnetare pranë Bibliotekës Publike duke u angazhuar seriozisht në proçedurat e punës të këtij institucioni. Pasi janë ndarë në grupe pune që do të shërbenin në sektorë të ndryshëm, studentët janë njohur me guidën e bibliotekës, ku kanë marrë informacion të hollësishëm për mënyrën e funksionimit të këtij institucioni të dijes. Studentët, pasi kanë marrë udhëzimet nga stafi i bibliotekës kanë dhënë kontributin e tyre në sektorin e huazimit të librit shqip, atë të libërlidhjes, në proçesin e përpunimit fizik të librit, në inventarizimin elektronik etj.
Krahas punës në sektorë të ndryshëm studentët i kanë sugjeruar stafit të bibliotekës ide apo projekte konkrete në kuadër të afrimit të grupmoshave të ndryshme me librin. Në këtë kuadër ata përgatitën edhe një fletëpalosje me slogane nxitëse, për t’i bërë apel njerëzve, sidomos të rinjve të mos braktisin librin, por të mbajnë një kontakt të rregullt me të. Ata nuk kanë nguruar të hartojnë edhe statistika për numrin e lexuesve në sektorë të veçantë duke nxjerrë kështu konkluzione konkrete përsa i përket lidhjes së durrsakëve me librin. Nisma vullnetare një mujore e këtyre studentëve vlen të përgëzohet dhe të mbështetet nga projekte të tjera të ngjashme që i inkurajojnë grupmoshat e reja të japin kontributin e tyre përsa i përket punës vullnetare. Nëse prindërit e tyre e dinë mjaft mirë kuptimin e nocionit punë vullnetare gjatë viteve të regjimit, punë e cila u kthye në një normë që duhej zbatuar rigorozisht, për brezin e ri këto koncepte janë ende të panjohura, ose më mirë të pavëna në praktikë. Krahas 12 studentëve të UAMD-së, pranë bibliotekës së Durrësit gjatë muajit korrik ofruan punë vullnetare edhe Carol Swim, një vullnetare e Korpusit të Paqes si dhe Adriana Kaculi, studente e fakultetit Juridik në Tiranë.