Në kuadër të programeve të aftësimit profesional të Qendrës së Ekselencës për Çështjet Detare, Autoriteti Portual Durrës ka nisur të bashkëpunojë me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA).
Përmes investimeve modernizuese në infrastrukturë, Qeveria shqiptare synon të kthejë transportin dhe logjistikën detare në shtylla të qendrueshme të zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë kontekst, suksesi ynë i përbashkët do të varet gjithashtu nga investimet në burime njerëzore dhe kualifikimin e vazhdueshëm të detarëve dhe transportuesve tanë.
Ndaj Autoriteti Portual Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi e cila orienton dhe thellon bashkëpunimin e tyre në tre drejtime:
-Hartimin e kurrikulave dhe ofrimin e kualifikimeve profesionale në fushën e transportit dhe logjistikës detare,
-Krijimin e Portalit të Punësimit për Detarinë shqiptare, për të gjithë ata të rinj dhe të reja që synojnë të punësohen në këtë sektor por sot kanë mungesë informacioni apo orientimi profesional të mirëfilltë,
-Ofrimin e mbështetjes financiare për formimin profesional dhe kualifikimin e vazhdueshëm të personave që kërkojnë të thellojnë njohuritë e tyre dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre për një punësim afat-gjatë në peshkim, transport, logjistikë, turizëm, siguri apo menaxhim detar.
Marrëveshja mes dy institucioneve parashikon për muajt në vijim një serë aktivitetesh që do i vijnë në ndihmë si studentëve apo punëmarrësve të sektorit ashtu dhe operatorëve portualë në kërkim të kandidatëve të kualifikuar sipas sektorëve.