Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Filip Gjonçaj, komenton çështje delikate që kanë të bëjnë me tekstet, emërimet, kurset private, raportin ndërmjet shkollave publike e private si dhe arsimit profesional. Në veçanti ai shpjegon strategjinë e kësaj drejtorie përsa i përket infrastrukturës, informatizimit të shkollave dhe rritjen e cilësisë mësimore. Gjonçaj ka konfirmuar gjithashtu se për herë të parë në Durrës po aplikohet sistemi i pranimit në punë përmes konkursit. “Kjo është një metodë që shmang çdo lloj forme preference dhe e bazon punësimin në bazë të meritës së aplikantëve”, thotë drejtori Gjonçaj.
Z Gjonçaj, si po funksionon procesi i informatizimit të shkollave, për më tepër që disa ditë më parë në Durrës në lidhje me këtë çështje erdhi dhe Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj?
Mund të them me siguri se në sistemin arsimor të Durrësit informatizimi tashmë është një realitet. Çdo shkollë ka laboratorë, çdo shkollë ka kompjutera në funksion të nxënësve dhe mësuesve. Gjithsesi duhet të jemi realistë që në disa raste këto salla informatike më shumë janë salla vizitash, se sa përdoren nga nxënësit. Ne në mënyrë absolute duhet që ta përdorim masivisht këtë rrjet informatik në orë të mësimit, në mënyrë që ta bëjmë nxënësin që të mendojë dhe jo vetëm të përgjigjet në mënyrë automatike. Ne do të vazhdojmë kontrollet në shkolla me nxënësit për të parë se sa janë përdorur këto mjete informatike në orën e mësimit.
Nga ana e mësuesve ka pasur vërejtje për disa prej teksteve shkollore të cilat nuk i plotësojnë standardet mësimore. Cili është opinioni juaj në këtë drejtim?
Fakti që ka një liberalizim të teksteve në të gjithë Shqipërinë, fakti që tekstet janë të shumëllojshme, është një avantazh për mësuesit e lëndëve përkatëse, veçse duhet më shumë kujdes në mënyrë që nga kjo larmi të përzgjidhen më të mirat. Ne kemi raste të mira në shumë shkolla ku tekstet janë përzgjedhur me kujdes, por ka dhe raste kur nuk ka ndodhur tamam kështu. Po ju jap vetëm një shembull ku flitet për një tekst të klasës së gjashtë të Kimisë me një autor në klasës së shtatë, me një autor tjetër dhe të klasës së tetë e kështu më radhë. Duket që nuk është bërë një përzgjedhje e mirë e teksteve. Për këtë si drejtoria e shkollës ashtu dhe mësuesit kanë marrë porositë përkatëse dhe ne jemi të bindur se duke filluar që nga shtatori i ardhshëm do të kemi tekste të përzgjedhura më me kujdes. Kjo do të thotë se mësuesit, që në fund të vitit që jemi, duhet të mendojnë thellësish për të zgjedhur tekstet më të mira.
Cili është qëndrimi juaj si drejtori arsimi në lidhje me kurset private?
Kurset private janë një problem i vjetër i arsimit. Unë mendoj se gjëja më e rëndë përsa i përket kurseve private është kur nxënësit detyrohen që të shkojnë në kurse private. Ne do të jemi shumë të ashpër për këta mësues në rastet kur, nëpërmjet anketimeve, nëpërmjet denoncimeve kolektive etj, nxënësit do të na dëshmojnë se janë psikologjikisht të detyruar që të shkojmë në një kurs privat. Problemi i kurseve private, problemi i korrupsionit në arsim nuk është një problem vetëm i arsimit, por një problem social. Në këto kushte strategjia duhet të jetë shumë e kujdesshme dhe shumë e ashpër në këtë drejtim.
Cili është vlerësimi juaj për maturën shtetërore dhe aplikimin e saj në Durrës?
Drejtoria arsimore e Durrësit ka dy tre javë që merret seriozisht me maturën shtetërore që ka disa risi këtë vit, por unë do të them se nuk do të kemi problem në këtë drejtim. Në të gjithë Durrësin këtë vit shkollor ne do të kemi vetëm një shkollë që e ka për herë të parë maturën shtetërore, kështu që mendoj se nuk do të kemi probleme.
Cilat janë politikat e drejtorisë arsimore për mbështetjen e talenteve dhe nxënësve të shkëlqyer?
Ne sapo kemi përfunduar olimpiadat në rang qarku. Natyrisht që ne kemi krenarinë të themi që nga shkollat publike të Durrësit kemi fitues të vendeve të para, të dyta apo të treta. Gjithashtu dhe nga shkollat private ka pasur fitues. Gjithsesi ajo që do të tregojë se sa efektive ka qenë puna e mësuesve me nxënësit do të jenë olimpiadat kombëtare.
Cili është vlerësimi juaj përsa i përket cilësisë së shkollave publike, në raport me ato private në Durrës?
Përsa i përket krahasimit të nivelit të shkollave publike dhe private për Durrësin mund të them se fakti që ne kemi kërkesa të shumta për tu regjistruar në shkolla publike, fakti që ne ndonjëherë e tejkalojmë dhe numrin e nxënësve nëpër klasa përsa i përket kërkesave të shumta, është një tregues i cilësisë në arsimin publik, ashtu si mund t´ju them dhe emra shkollash private cilësore në qytetin e Durrësit.
Në arsimin e lartë Durrësi ka problem me infrastrukturën, si paraqitet situata në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm në këtë drejtim?
Në fshat i kemi të gjitha shkolla të reja funksionale, por në qytet kemi problem pasi ka disa shkolla të amortizuara, por në bashkëpunim dhe me bashkinë do të mundohemi që të bëjmë rikonstruksionin e disa shkollave, në mënyrë që ky rikonstruksion të jetë efektiv dhe i dukshëm. Me ndihmën e bankës botërore, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës si dhe Bashkisë së qytetit të Durrësit do të ndërtojmë një shkollë të re në qytet.
Cili është vizioni juaj përsa i përket arsimit profesional?
Mund të them që përsa i përket arsimit profesional Durrësi është një model në shkallë vendi, falë dhe punës së mirë drejtuese që bëhet në këto shkolla. Mjafton të përmend shkollën “Beqir Çela” që është një shembull në këtë drejtim si përsa i përket punës drejtuese, ashtu dhe cilësisë së nxënësve që nxjerr dhe metodave bashkëkohore që aplikon. Arsimi profesional është një prioritet dhe i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, madje mund të them me krenari se do ta kalojmë objektivin e kësaj ministrie për arritjen e kuotës së 35 % e regjistrimeve në shkollat profesionale. Kjo është një kërkesë e kohës që përgatit për tregun e punës specialist të aftë. Ne mendojmë gjithashtu se me ndërtimin e shkollës se re teknologjike “Hysen Çela“do të afrojmë në arsimin profesional një numër të lartë nxënësish.
Cila është strategjia e Drejtorisë tuaj për shmangien e abuzimeve në rastet e punësimit të arsimtarëve?
Për herë të parë në Durrës po aplikohet pranimi në arsim përmes konkursit. Kjo është një metodë që shmang çdo lloj forme preference dhe e bazon punësimin në bazë të meritës së aplikantëve. Vetëm kështu do të ushqejmë sistemin 9-vjeçar dhe të mesëm me kuadro të afta dhe profesionale, duke shmangur çdo lloj ndikimi.