* Shqiptarët nuk kanë shanse për azil politik, por Gjermania do të hapë rrugën për ardhjen legale të fuqisë punëtore nga vendet Ballkanit, thotë Anette Kramme, në bisedë me Deutsche Welle-n
30 nëntor 2015 – Migracioni dhe refugjatët janë aktualisht ndër temat më të rëndësishme në Gjermani. Deri në tetor të vitit 2015 janë paraqitur mbi 130.000 kërkesa për azil nga shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndër ta janë rreth 35.000 nga Kosova dhe rreth 45.000 nga Shqipëria. "Por shanset e tyre për azil janë gati të barabarta me zero", thotë sekretarja e Shtetit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme.
Shanset për azil nuk ekzistojnë, por Gjermania do të hapë tregun e punës prej vitit të ardhshëm për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas propozimeve të tanishme, parashikohet që në vit të pranohen rreth 20.000 punëtorë nga këto vende. Parashikohet që ligji i ri të hyjë në fuqi në vitin 2016 dhe do të vlejë deri më 2020-n kur do të bëhet evaluimi i tij. "Nga këto rregulla mund të përfitojë Gjermania, por edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor", pohon Kramme.
E pyetur nga Deutsche Welle, se çfarë do të ndryshojë konkretisht me ligjin e ri, i cili duhet të hyjë në fuqi në vitin 2016, sekretarja e shtetit Anette Kramme përgjigjet: "Deri tani situata është kështu: emigrantët mund të vijnë në Gjermani vetëm nëse kanë ndonjë kualifikim të posaçëm. Ata ose kategorizohen si akademikë dhe mund të vijnë përmes Blu Card, që është mundësia e parë. E mundësia tjetër është nëse dikush ka një profesion të posaçëm, për të cilin ka mangësi në Gjermani. Ndonëse tani ne do ta hapim tërësisht tregun e punës për njerëzit nga vendet e Ballkanit, kushti i parë absolut është që të ketë një vend vakant. Dhe kushti tjetër është që për këtë të japë pëlqimin edhe Agjencia Federale e Punës, e cila të sigurojë, se për këtë vend pune nuk ka ndonjë kandidat nga Gjermania apo nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Ndërkohë që kushtet e punës duhet të jenë të barabarta."
Në Gjermani është folur shpesh për mungesën e fuqisë punëtore në shumë fusha. Njerëzit në Kosovë, Shqipëri dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor shpresojnë se do të gjejnë ndonjë vend pune në Gjermani, por në cilat fusha ekziston nevoja më e madhe për fuqi punëtore? E pyetur për këtë nga DW, sekretarja e Shtetit pranë Ministrisë gjermane të Punës dhe Çështjeve Sociale, Anette Kramme, thekson: "Kjo vlen në veçanti për fushat ku nuk kërkohet ndonjë shkollim i posaçëm, si dhe për vendet e punës për të cilat nuk ka kandidatë nga Gjermania apo Bashkimi Evropian. Këto janë mundësitë për migracion pune, por natyrisht që tregu i punës është i hapur edhe për akademikë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.
Sa i përket problemit që kanë qytetarët e Kosovës me vizat, si e vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk gëzon lirinë e lëvizjes pa viza në BE, Anette Kramme thekson, se: "Ne do të lehtësojmë të gjithë procedurën. Procedura e dhënies së vizave do të jetë më e shpejtë dhe më e thjeshtë."
/portali DurresLajm/