DURRËS, 3 tetor  2014 –  Ndërsa ka bërë publikë 47 vende pune për nëpunës të nivelit të lartë në ad ministratë, DAP ka nxjerrë gjithashtu dhe një udhëzim shtesë për mënyrën si do bëhet përzgjedhja e tyre, si dhe kushtet që duhet të plotësojnë. Udhëzimi që mban datën 19 shtator “përcakton elementet kryesore proceduriale për procesin e rekrutimit dhe emërimit të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues, anëtarëve të TND-së”. 



“Me qëllim zbatimin e unifikuar të procedurave të rekrutimit dhe të emërimit të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues, anëtarë të TND-së, institucionet e administratës shtetërore, në veprimtarinë e tyre, duhet të respektojnë rregullat e përcaktuara në lidhjen bashkangjitur”, përcakton udhëzimi i cili mban firmën e drejtoreshës së DAP Albana Koçiu. 



PIKËT 

Konkurrimi konsiston në vlerësimin e jetëshkrimit (CV) të kandidatëve, që përfshin vlerësimin e arsimimit, eksperiencës dhe trajnimeve të lidhura me fushën, si dhe vlerësimet e arritjeve vjetore, testimin me shkrim dhe intervistën e strukturuar me gojë. Vlerësimi maksimal është 100 pikë, ndërkohë që pikët maksimale për vlerësimin e jetëshkrimit janë 10. Pikët për çdo element (CV, arsim, eksperience, trajnime dhe vlerësim) mblidhen. Pikët në total mblidhen dhe pjesëtohen me 9, duke i rrumbullakosur deri në një presje dhjetore. KKP përcakton numrin e pyetjeve, peshën specifike të secilës pyetje, si dhe mënyrën e llogaritjes së pikëve për intervistën e strukturuar me gojë. Shuma totale e pikëve për intervistën e strukturuar me gojë është 50. 



Gjatë intervistës me gojë nuk bëhen pyetje në lidhje me moshën, gjendjen civile, gjendjen familjare ose planet, preferencat fetare, pikëpamjet politike, etj. “Kandidatët njoftohen se intervista do të regjistrohet me zë. Deklarata e pranimit, ose e mospranimit për të regjistruar intervistën me gojë duhet të nënshkruhet nga kandidatët. Kjo deklaratë duhet të përfshijë detyrimin nga ana e komisionit për të ruajtur fshehtësinë e të dhënave të kandidatit. Nëse kandidati refuzon të nënshkruajë deklaratën, atëherë intervista me gojë nuk regjistrohet”, përcakton udhëzimi.

/marrë nga BalkanWeb/