Durrës, 11 prill 2014 – Nisin procedurat e aplikimit për punësimin sezonal në Itali, ku për këtë vit është parashikuar të pranohen 15 mijë punonjës të huaj, përfshirë edhe shtetasit shqiptarë. “Panorama” shkruan se ashtu si edhe vitin e shkuar, për shkak të krizës ekonomike që ka përfshirë Italinë dhe rritjes së papunësisë edhe mes të huajve, fluksi është shumë i reduktuar në shifra. Nga 30 mijë kuotat e akorduara një vit më parë, sivjet autoritetet italiane do të hapin dyert për të pritur vetëm 15 mijë punonjës të huaj.

Fillimisht punëdhënësit italianë do të paraqesin online kërkesat e tyre të punësimit për të çuar në Itali punonjës sezonalë. Dekreti i flukseve për punësimin sezonal, i cili është botuar më 9 prill në Gazetën Zyrtare autorizon hyrjen në Itali të punonjësve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia etj. Pavarësisht vendlindjes do të pranohen edhe punonjës që kanë qenë në Itali vitet e shkuara.

Tre mijë kuota të këtij dekreti i rezervohen punonjësve që kanë qenë të punësuar më parë si sezonalë për dy vjet rresht në Itali. Për këta punonjës, punëdhënësit mund të paraqesin kërkesa autorizimesh shumëvjeçare, në mënyrë që vitet e ardhshme të mund t’i sjellin sërish ata në Itali pa pritur shpalljen e dekretit të flukseve. Në këtë mënyrë evitohet në të ardhmen kërkesa e lidhur me dekretin e flukseve sezonale të punës.

Për të marrë vizën me motiv pune sezonale kalohet direkt nga Ambasada Italiane në vendin e origjinës nëpërmjet një procedure të përshpejtuar. Sipas dekretit, 15 mijë punonjësit e huaj që do të pranohen në Itali do të punësohen në sektorin e bujqësisë dhe hotelerisë.

/gazeta "Panorama"/