Policia arrestoi drejtuesin teknik të një firme ndërtimi, pasi një ditë më parë një punëtor 44-vjeçar humbi jetën teksa ra nga lartësia në një objekt në ndërtim.

Policia njoftoi arrestimin e shtetasit M.Ç, 40 vjeç, me detyrë drejtues teknik i një subjekti për ndërtim pallati, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tropojë, bënë ndalimin e shtetasit M. Ç., 40 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i një subjekti për ndërtim pallati, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Ky shtetas dyshohet se nuk ka marrë masat për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë në ndërtimin e një pallati në qytetin e Bajram Currit.

Ditën e djeshme, gjatë punës në këtë objekt është rrëzuar nga kati i pestë, shtetasi A. S., 44 vjeç, banues në fshatin Gri, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme”, njoftoi Policia.