SARANDE – Një fëmijë 2-vjeçar është plagosur rëndë mesditën e sotme në Sarandë. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se fëmija u godit nga një tullë, që ka rënë nga kati i gjashtë i një pallati në ndërtim.
Sipas policisë, në momentin e ngjarjes fëmija ishte në karrocë dhe shoqërohej nga nëna dhe gjyshi i tij. Ai është dërguar menjëherë në spitalin rajonal në gjendje të rëndë dhe më pas është nisur drejt Janinës për ndihmë më të specializuar.
Ngjarja ka qenë aksidentale, pasi tulla i ka rrëshqitur nga duart një punëtori që punonte në katin e gjashtë të pallatit. Ndërkohë Policia ka shoqëruar në komisariat punëtorin nga Elbasani, Anduel Pepa.
Nuk dihet ende nëse firma e ndërtimit kishte vendosur në objektin në ndërtim tabelat që sinjalizojnë rrezikun.





