Nisja e punimeve gjatë natës nga firma zbatuese e kompleksit të katër godinave 5-katëshe në Kodër Vilë, ka alarmuar banorët e zonës. Mëngjesin e sotëm banorët janë përballur me rrugën e dëmtuar e cila ka pësuar dëmtime.
Banorët thonë për “DurrësLajm” se mjetet e rënda të firmës që vetëm sa kanë kaluar në rrugë, ende pa nisur ndërtimi i pallateve, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndërsa akuzojnë firmën se teknikat që do të përdoren për të ndërtuar, pritet të shkaktojnë dëmtim të banesave të tyre.
Jola Hysa, tha se shkalla e rrezikshmërisë është shumë e madhe, duke iu bërë thirrje agjencive dhe strukturave përkatëse për të marrë masa konkrete.
Edhe banorët thonë se duhet të ndërpritet lakmia për të ndërtuar duke vënë në rrezik njerëzit.
Banorët e Kodër Vilës në Durrës po protestojnë prej ditësh për këtë çështje, e cila u dërgua prej tyre në gjykatë, por Gjykata Administrative e shkallës së parë iu dha të drejtë banorëve duke ndërprerë për 8 muaj punimet, ndërsa Gjykata Administrative e Apelit i dha të drejtë firmës ndërtuese, duke iu hapur rrugë punimeve për ndërtimin e kompleksit.
K.H.





