27 maj 2015 – Në pishinën e vetme publike në Durrës, “Taq Dafa”,  që prej ditës së hënë ka nisur një veprimtari e ethshme ndërtimore.

Pasi “shkulën” pedanën 4-katëshe të kërcimeve në ujë, mjetet e rënda kanë rrafshuar edhe kabinat që u shërbenin notarëve.

Megjithëse nuk ka asnjë tabelë me të dhëna dhe informacion, mësohet se bashkia ka vendosur ta ndryshojë imazhin e pishinës së vetme publike të qytetit. Synimi është rindërtimi i saj sipas standardeve olimpike, duke filluar që nga furnizimi me ujë të ëmbël.

Pishina publike e Durrësit, pranë muzeut arkeologjik, gjatë dy viteve të fundit nuk ka funksionuar fare. Ajo furnizohej me ujë deti nga një distancë prej rreth 300 metrash dhe mungesa e investimit kishte krijuar vështirësi në menaxhimin e saj.

Që nga ndërtimi i saj në mesin e viteve ‘70, pishina e Durrësit nuk është restauruar asnjëherë siç duhet dhe projektet elektorale për komplekse madhështore kanë mbetur vetëm në letër.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/