Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë median dhe opinionin publik se duke nisur nga dita e enjte (datë 13 Shtator 2018), në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performance të Bankës Botërore, do të fillojnë punimet për rehabilitimin e aksit Vorë – Kthesa Rinas – Fushë Krujë.

Punimet kryesore të cilat janë parashikuar gjatë fazës së rehabilitimit të këtij aksi rrugor janë prishja e shtresave ekzistuese asfaltike; zëvendësimi i nënshtresave në çakëll dhe stabilizant; realizimi i të gjitha shtresave të reja asfaltike në të gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosja e sinjalistikës rrugore dhe e masave të sigurisë rrugore.

Nga dita e nesërme do të bëhet bllokimi i aksit nga Kthesa e Doganës së Tiranës deri te kthesa për Prezë.

Kohëzgjatja e punimeve për rehabilitimin e segmentit nga Kthesa e Doganës së Tiranës deri te kthesa për Prezë është 45 ditë.

Segmenti i sipercituar do të jetë i bllokuar për të gjitha mjetet gjatë periudhës së kryerjes së punimeve.

Dogana e Tiranës do të jetë e aksesueshme nga ana e Vorës.

Devijimi i trafikut do të jetë sipas sinjalistikës provizore të vendosur në segmentin ku do të punohet si dhe udhëzimet e policisë.