Punimet me dorë apo siç njihen ndryshe “handmade”, janë rikthyer sërish në modë vitet e fundit. Veshje të personalizuara me grep e shtiza, po kthehen në trend dhe po përqafohen nga brezat e rinj për të pasur një aksesor të veçantë e unik në gardërobën e tyre.

Edhe në Shqipëri ata sipërmarrës të vegjël “handmade” po gjejnë mbështetje në tregun online, në një kohë kur “artizanët e periudhës së teknologjisë” përpiqen që të përfitojnë nga pushteti i internetit për të marketuar atë çka dinë të bëjnë më mirë.

E tillë është dhe Ezmerina Kasa, një vajzë e re nga Durrësi, e cila me pasion e talent, shpalos energjinë dhe shpirtin e saj krijues në çdo produkt që realizon. Ajo prej gati 3 vitesh merret me realizimin e këtyre punimeve, një pjesë të të cilave na i prezanton sot.

Shumë vajza të famshme të showbizit jo vetëm në Shqipëri, por dhe në botë, janë bërë tashmë klientet e Ezmerinës. Të apasionuara pas këtyre punimeve, ato kanë rënë në dashuri sapo kanë rënë në kontakt me veshjet e reklamuara nga Ina në rrjetet sociale, si: Lucy Kates (modele nga Londra por që jeton në Bali), Miss Sllovakia e vitit 2015, Lei Kraja etj.

Ina na tregon më shumë në këtë intervistë për “DurrësLajm” mbi pasionin e saj, si i lindi ideja për t’u marrë me handmade, me çfarë materialesh punon, dhe sa kushtojnë këto veshje që mbajnë emrin dhe markën respektive “Ina Handmade”.

Si është procesi i një pune me dorë, me çfarë materialesh punon dhe çfarë modelesh bën kryesisht Ina?

Veshjet punohen kryesisht në varësi të modelit dhe sipas stinës. Në verë dhe në pranverë, kryesisht pjesa më e madhe me fije pambuku, duhet të jetë 100 % pambuk, për efekt dhe të plazhit sepse pjesa më e madhe e veshjeve verore janë për në plazh. Duhet të jenë praktike, të buta dhe të aksesueshme nga rrezet e diellit. Ndërsa në dimër me akrilik, por ka dhe përqindje leshi, që të jetë e ngrohtë, më e trashë dhe e plotë.

Sa kohë të duhet mesatarisht për të bërë këto punime, sipas llojeve të ndryshme, p.sh.: çanta, apo veshjet interesante për plazh?

Një crop top do dy ditë të realizohet, i cili është i punuar me fije pambuku. Ndërsa për çantat përdoret një lloj tjetër fije, që është shumë më e plotë dhe e trashë, me përqindje pambuku. Në realizimin e një çante në varësi të modelit dhe përmasave, zakonisht duhen 2-4 ditë, jo më shumë.

Si variojnë çmimet e punimeve tuaja?

Edhe çmimet ndryshojnë në varësi të modelit. Një crop top i thjeshtë apo një palë rrobebanje të thjeshta fillojnë nga 2500 lekë deri në 4000 lekë. Çantat për fëmijë kushtojnë rreth 3000 – 4000 lekë, ndërsa modelet për të rritur variojnë nga 4000 lekë e lart. Për pjesën më të madhe besoj se janë çmime të arsyeshme.

Më trego pak si të ka lindur ky pasion, sa kohë ke që merresh me punime me dorë?

Në fakt që e vogël e kam mësuar nga mamaja ime, por në atë moshë nuk ja dija shumë vlerën. Por më vonë vazhdova një shkollë për Stilim e më ndihmoi shumë për të hyrë vazhdimisht te pjesët e punimeve me dorë. Pashë që pëlqeheshin, sidomos në Evropë, në vendet e ngrohta ku ka plazh. Thashë pse të mos provoj, të bëj edhe për vete, e për shoqet, e kështu nis kupton si është interesi. Por në vendin tonë janë pak skeptikë në këtë pjesë, ndoshta sepse nuk ka dhe shumë që merren me punime të tilla, apo sepse nuk ka hyrë shumë si modë. Por jashtë shtetit i preferojnë më shumë, ku unë kam dhe më shumë kërkesa. Kam gati 3 vite që punoj seriozisht, që merrem me porosi, me veshje të personalizuara.

Po tani në periudhën e pandemisë dhe që nga koha e karantinës, si ka ndryshuar trendi i kërkesave, a ka pasur interes për të blerë?

Në kohën e karantinës të gjithë u stepën pak, ndaluan dhe porositë e mia, besoj si për shumë punë të tjera. Por më mbrapa vazhdoi pothuajse rregullisht. Ndërkohë që unë kisha kohë të merresha me projekte të reja, pasi merrem gjatë gjithë kohës. Periudha e karantinimit më la kohë të bëja diçka ndryshe.

Ke nje atelie apo punon vetëm me porosi online?

Për momentin nuk e kam hapur ende, pasi nuk jam gati sepse po merrem me disa projekte të tjera. Besoj që shumë shpejt do ta hap, sepse shikoj që është e nevojshme. Njerëzit kanë qejf t’i shikojnë, t’i prekin, t’i provojnë. Është ndryshe kur e sheh nga afër dhe ndryshe online. Për momentin po vazhdoj me porositë online, më tepër jashtë shtetit, se sa këtu. Por dhe këtu ka disa qytete që vazhdojnë bëjnë porosi.

Nga cilat qytete ke më shumë kërkesa, ke më tepër nga Durrësi duke qenë se je dhe vetë nga këtu? Apo nga Tirana dhe rrethet?

Fatkeqësisht nuk kam më tepër nga Durrësi, por nga Tirana. Ndoshta sepse dhe popullsia aty është më e madhe, ose ndoshta kanë një shije tjetër, që duan diçka të personalizuar, të bukur ose unike. Kryesisht qytetet e mëdha kanë më shumë interes; Shkodra, Korça, Tirana edhe Durrësi.

Si funksionon për të gjitha vajzat dhe gratë e interesuara, mjafton të kontaktojnë në adresën tënde të rrjeteve sociale, më pas bëjnë porosinë dhe ua dërgoni me postë?

Po, në “Facebook” dhe “Instagram” me emrin Ina_handmade, gjendet lehtësisht dhe profili është i hapur ku mund të shohin punimet, ku mund të më kontaktojnë dhe të bëjnë porositë.

Jo gjithmonë porositë bëhen sipas modelit që kam publikuar, sepse klientët kanë kërkesa të ndryshme për ngjyrën, përmasat, përbërjen e fijes. Pjesa më e madhe janë antialergjike, nuk besoj se është problem, por që kërkojnë modele të ndryshme.

Suksese! Shpresoj që të vijmë sa më shpejt të vizitojmë atelien tuaj.

Faleminderit, ju mirëpres!

S.L.