Bllokohet për 7 ditë linja hekurudhore Tiranë-Durrës, shkak punimet që po kryhen në by-pass-in e Shkozetit

DURRES, 11 qershor 2013 – Linja hekurudhore Tiranë-Durrës që prej ditësh së djeshme ka bllokuar lëvizjen.

Shkak për këtë situatë janë bërë punimet që po kryhen në mbikalimin hekurudhor,  pjesë e by-pass-it të Shkozetit.

Drejtori i Transportit të Pasagjereve të Hekurudhës, Ismail Dervishi, sqaron se linja hekurudhore Tiranë-Durrës dhe anasjelltas do të qëndrojë e bllokuar për plot shtatë ditë.

" Që prej së hënës linja hekurudhoreTiranë-Durrës, ka pezulluar lëvizjen e trenave për shkak të punimeve që po kryhen në mbikalimin hekurudhor në by-passin Plepa-Shkozet. Nga ana e firmës, e cila po kryen punimet është kërkuar pezullimi i qarkullimit të trenave, deri në përfundimin e punimeve. Përsa i përket linjave të tjera funksionojnë normalisht, në oraret e përcaktuara", tha Ismail Dervishi drejtori i Transportit të Udhëtarëve.  

Sipas Dervishit kjo situatë pritet të reflektojë në ardhurat financiare, të cilat vinin nga transporti i pasagjerëve.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/