Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e nisjes së punimeve për Teatrin e ri Kombëtar.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë u shpreh se “ky projekt shkon përtej një teatri të mirë për Shqipërinë”.

Rama bëri një paralelizim mes teatrit dhe stadiumit “Air Albania”, teksa tha se nuk do të jetë vetëm destinacion për dashamirësit e teatrit, por një vend ku do të organizohen edhe aktivitete ndërkombëtare.

“E kam menduar shpesh pse komuniteti i teatrit, duke lënë mënjanë ata të cilët teatrin apo stadiumin apo sheshin i kanë parë si platforma për të kërcyer vallen e shpatave të politikës, pavarësisht simpative normale politike, kishin një mosbesim thuajse konsensual lidhur me këtë proces dhe lidhur me vullnetin për të ndërtuar më në fund një teatër të denjë. Ndoshta nuk i jap dot përgjigje kësaj pyetjeje, por besoj që një nga arsyet ishte se për shumë kohë, komuniteti i teatrit u pajtua me incercinë e të jetuarit dhe punuarit në kushte të vështira. Kaluan dekada me premtime, por asnjëherë nuk u bë mbarë njeri që t’i hynte punës për ndërtimin e një teatri të ri. Pastaj, patjetër që hyjnë në mes paragjykimet e lidhura me kohën që jetojmë, ku kemi parë shumë skena shqyerjeje të pronave e pasurive publike. Vetvetiu u krijua një instikt vetëmbrojtjeje. Më vjen mirë që të gjitha u fashitën”, tha Rama.

“Ky projekt shkon përtej një teatri të mirë për Shqipërinë. Ky është një tjetër gur i çmuar që praktikisht e kanë nxjerrë Tiranën jashtë vetes, jashtë kornizës së vjetër të vetes dhe e kanë projektuar si një kryeqytet evropian ku ndodhin gjëra dhe ku bëhen gjëra që tërheqin vëmendjen e të tjerëve. Mund të bëhet një paralele me stadiumin. Stadiumin që e kishim dhe që praktikisht as për stadium nuk përdorej dot më, pasi u ndalua nga UEFA e FIFA organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare. Ndërkohë, vijonte rezistenca absurde për të mos e prekur stadiumin, kur ishte e qartë që ai stadium ishte i vlefshëm vetëm në një pjesë të tij. Ne e ndërtuam stadiumin dhe unë jam i bindur që askujt nuk i shkonte në mendje se mund të vinte dita që në Shqipëri të luhej një finale evropiane (Conference League)”, shtoi kryeministri.

Sipas tij, e njëjta gjë do të ndodhë me teatrin: “Nuk do të jetë vetëm destinacion për dashamirësit e teatrit, por një vend ku do të organizohen edhe aktivitete ndërkombëtare”.