Në një epokë, ku ushqimet artificiale të prodhuara në masë po dominojnë dhe ku raftet e marketeve në Shqipëri janë të mbushura me ushqime të përpunuara nga importi, sytë po drejtohen gjithnjë e më shumë kah artizanalja, recetat e vjetra dhe metodat e prodhimit të transmetuara ndër breza.

Prandaj ekipi i “DurrësLajm” ishte këtë të mërkurë në Shënavlash të Durrësit, aty ku prej më shumë se 10 vitesh tashmë, prodhohen gliko dhe reçel me frutat e pyllit të Shqipërisë, që po kërkohen nga gjithë bota.

Ardian Çitozi, një nga eksportuesit më të mëdhenj të gështenjës dhe frutave që rriten në gjendje të egër, ka nisur prodhimin e së paku 18 lloje glikosh dhe reçelrash, që kanë si bazë frutat e egra të pyllit.

“Te kjo magazina këtu në Shënavlash ne kemi filluar që të prodhojmë gliko dhe reçelra të ndryshëm me frutat tona të mrekullueshme shqiptare, që i kemi vetëm ne dhe na ka zili gjithë bota.

Kemi reçelin e boronicës, e mjedrës, e manaferrës, e vishnjës, që këto janë të rralla në Shqipëri“, tregon ai, ndërsa shton se blerësit i ka “në Hungari, në Kroaci dhe Itali, kjo përsa i përket gështenjës industriale.

Përsa i përket gështenjës kokërrmadhe unë kam kërkesë deri në Amerikën e largët, të gjithë sasinë e asaj që ne mbledhim këtu, por duke qenë që kërkon investime të jashtëzakonshme, jemi pak prapa me këtë pjesë.”

Tregtimi i këtyre produkteve 100% shqiptare jashtë vendit është padyshim një histori suksesi, në një kohë kur në tregun vendas penalizimet janë të shumta.

“Ne prodhuesit shqiptar jemi të penalizuar, se të shkosh sot, të njejtin produkt ta marrësh në Serbi, serbi nuk ta paguan as barkodin, nuk i jep as përqindjen në fund të vitit dhe as nuk do t’ja dijë për ofertat.”

Që unë të shkoj të bëj një kontratë me një zinxhir supermarketesh ata më kërkojnë para për barkode, më kërkon një përqindje në fund të vitit, më kërkojnë oferta të ndryshme gjatë vitit, ndërkohë që këtë Komuniteti Europian e ka ndaluar këtë në Europë“, thotë sipërmarrësi Çitozi.

Ndërsa punët e fshatit “kërcënohen” me zhdukje, ai pranon se e ka thuajse të pamundur të sigurojë fuqinë punëtore, që sheh emigrimin si zgjidhje për problemet ekonomike të tyre.

Prandaj ai sugjeron marrjen në konsideratë, të atij që njihet si “kilometri zero”.

“Këtu ndodhemi në Durrës dhe këtu ne kemi hoteleritë dhe restorantet më të mëdhaja në gjithë Shqipërinë, pse mos të furnizohen këto nga produktet tona, nga prodhuesit vendorë? Ne flasim gjithmonë për kilometrin zero, Europa ka bërë shumë propagandë për kilometrin zero. Ne jemi një shembull për këtë“, thotë ai.

Në panairet e zhvilluara vitet e fundit në Durrës, stendat janë mbushur me prodhime të fermerëve, agroturizmave dhe sipërmarrësve durrsakë, por pas larmishmërisë së produkteve që ato ofrojnë qëndron një “luftë” e vazhdueshme për mbijetesë, me të cilën u duhet të përballen.

Ndërsa jemi në prag të nisjes së një sezoni të ri veror, prodhuesit vendas sugjerojnë bashkëpunimin me agjencitë turistike, në mënyrë që turistët e huaj të mund të vizitojnë punishtet e provojnë kështu produktet autentike shqiptare.

K.Gj.