Eqerem Idrizi është një pensionist në qytetin e Durrësit. Plot 45 vjet ka punuar si marangoz. Nga duart e tij kanë dalë qindra e mijëra punë të ndryshme mobilierie. Ka dalë në pension dhe pensioni i tij është 165 mijë lekë të vjetra në muaj.

I moshuari, përveç se mund të bëjë xhiro në bankinat e markatës, pjesën më të madhe të frutave vetëm mund ta shijojë duke e parë. Këtë fundjavë ka blerë vetëm domate, kastraveca dhe vezë.

Asnjë agrum apo frut të stinës. Pensioni i tij nuk mund t’i lejojë asnjë luks. As mund të pijë një kafe çdo ditë në një bar.

Por Idrizi është sërish i qeshur dhe optimist. Edhe pse merr një pension 16.500 lekë, nuk ngurron të bëjë shaka e të thotë se keq duhet t’i vijë popullit për parlamentarët e tij, të cilët kanë paga 2 apo 3 milionë lekë.

“Pensionistët duhet të marrin një pension minimalisht dy herë më shumë”,- thotë pensionisti durrsak.

Sërish është i bekuar me fëmijët dhe dashurinë që i ka falur zoti në jetë. Pavarësisht se blerjet e tij janë të pakta, nga buza nuk i ndahet buzëqeshja.

K.H.