Durrës, 30 qershor 2014 – Një 51 vjeçare nga Durrësi, që hiqej si punonjëse hipoteke, ka arritur t’i marrë me anë të mashtrimit një 58 vjeçari po nga Durrësi 600 mijë lekë të reja.

51 vjeçarja V.Xh. ishte prezantuar kohë më parë me 58 vjeçarin Q.C. dhe i kishte premtuar se do ta ndihmonte të nxirrte çertifikatën e pronësisë së tokës që ky shtetas kishte në Shënvlash. 51 vjeçarja që ishte prezantuar si punonjëse e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i kishte thënë qytetarit që kërkonte të pajisej me çertifikatë pronësie, se paratë në fjalë do t’i përdorte për të rregulluar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për këtë çështje.

I lodhur nga sorrollatjet e vazhdueshme në zyrat e Hipotekës, 58 vjeçari ia ka dorëzuar në muajin janar të vitit 2013 shumën në fjalë me shpresën se më në fund do të merrte në dorë çertifikatën aq shumë të dëshiruar.

Por pasi kanë kaluar disa muaj, madje më shumë se një vit, që nga dorëzimi i shumës në fjalë, 58 vjeçari ka nisur të shqetësohej dhe të dyshonte se bëhej fjalë për një mashtrim, pasi ‘punonjësja e Hipotekës’ nxirrte pretendime nga më të ndryshmet për arsyet e vonesës.

Pasi është interesuar pranë Hipotekës dhe ka kuptuar se shtetasja V.Xh. nuk ishte punonjëse në këtë institucion, 58 vjeçari durrsak i është drejtuar policisë për të bërë denoncimin përkatës.

Ndërkohë ndaj 51 vjeçares V.Xh. ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, pasi akuzohet për “Mashtrim”.    

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/