Rreth 70 punonjëse të një fasonerie në Durrës kanë dalë në protestë duke bllokuar hyrjen e degës së Tatim-Taksave që në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm.
Këto gra kërkojnë pagën e luftës, pasi sipas tyre, pavarësisht se firma i ka paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ato nuk kanë pasur punë gjatë periudhës së pandemisë për shkak të situatës.
Por pagën e luftës prej 40 mijë lekësh siç iu ka premtuar kryeministri Rama, ato nuk e kanë marrë.
“Edhe kur kemi qenë në sistem nuk e kemi marrë. Edhe kur kemi dalë nga sistemi sërish nuk e kemi marrë. Ose kryeministri del e thotë përralla në televizor, ose diçka nuk shkon.
Ne duam pagën e luftës si të gjithë ata të tjerët që kanë punuar çdo ditë.
Unë dua të drejtën time, kam 18 vjet që punoj. Dua ta marr dhe unë pagën e luftës siç e kanë marrë 86 % sipas asaj që thotë Rama”, thotë njëra nga punonjëset për “DurrësLajm”.
“Nuk lëvzim nga vendi pa marrë 40 mijë lekëshin që ka premtuar kryeministri”, vijon ajo.
“Ne sot nuk po punojmë dhe kemi bllokuar punën. Ashtu edhe këta nuk do i lejojmë të punojnë derisa ne të na paguhet paga. Ne na janë paguar siguracionet, por s’kemi marrë as lekë, asgjë”, deklaron një tjetër punonjëse.
“Ne kërkojmë të drejtat tona prandaj jemi këtu sot”, thonë ato.
Ndërkohë, me ardhjen e uniformave blu në vendin e ngjarjes, u vendos që një grup punonjësesh të ngjiteshin në zyrën e drejtoreshës së Tatimeve për të diskutuar mbi rastin e tyre, ndërkohë që mbeten në një përgjigje në vijim se ç’do të bëhet me pagën e luftës.
S.L.





