Përmasat e lidhjeve të punonjësve të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për ndihmën e refugjatëve palestinezë me terroristët në Rripin e Gazës është më i madh se mendohej.
Sipas informacioneve të gazetës “Wall Street Journal”, përmasat e lidhjeve të punonjësve të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për ndihmën e refugjatëve palestinezë me terroristët në Rripin e Gazës janë më të mëdha se mendohej. Jo vetëm 12 persona, siç u bë e ditur më parë, kanë bashkëpunuar për sulmin terrorist të Hamasit më 7 tetor kundër Izraelit. Rreth 10% e afër 12.000 punonjësve të organizatës në Rripin e Gazës duket se kanë pasur lidhje me organizatën terroriste të Hamasit apo atë të Xhihadit Islamik, raporton media amerikane duke iu referuar të dhënave të shërbimeve sekrete.
Akuzat kundër punonjësve të saj për pjesëmarrje në të dyshuar në masakrën e Hamasit më 7 tetor kanë shkaktuar reagime të zemëruara në botë. Mjaft shtete kanë ndalur pagesat për këtë organizatë. “Problemi i i UNRWA-s nuk është se janë ‘disa mollë të prishura’ që morën pjesë në masakrën e 7 tetorit”, është cituar një zyrtar i lartë izraelit. “Institucioni si i tillë është një vatër e ideologjisë radikale të Hamasit.”
“Pjesëmarrje aktive” e punonjësve të agjencisë?
Qeveria e Izraelit dha së fundmi agjencisë së OKB-së një informacion se 12 punonjës të saj dyshohet të jenë përfshirë në sulmin e organizatës terroriste islamike Hamas më 7 tetor 2023. Rreth 1.140 njerëz u vranë dhe 250 të tjerë u morën peng në Rripin e Gazës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres njoftoi se nëntë nga dymbëdhjetë zyrtarët e akuzuar të Agjencisë ishin liruar menjëherë. Ai bëri të ditur se të dyshuarit do të mbajnë përgjegjësi, përfshirë edhe ndjekjen penale.
Një zyrtar i lartë izraelit, i cituar nga portali i lajmeve Axios, pohoi se inteligjenca tregon për “përfshirjen aktive” të zyrtarëve të Agjencisë.
Kush është UNRWA?
Agjencia u themelua në vitin 1949 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Qëllimi i saj është të kujdeset për nevojat e palestinezëve të regjistruar si refugjatë dhe pasardhësve të tyre të zhvendosur ose për ata që ikën nga koha e krijimit të shtetit të Izraelit në 1948, si dhe nga Lufta e Parë Arabo-Izraelite që pasoi. Nga rreth 750.000 në vitin 1948, numri i tyre është rritur ndërkohë në 5.9 milionë sot.
Organizata operon në territoret palestineze, Liban, Jordani dhe Siri. Shërbimet e saj përfshijnë arsimin, shëndetin dhe shërbimet sociale për infrastrukturën, mikrofinancën dhe ndihmën emergjente në konfliktet e armatosura.
Mbi 540.000 fëmijë palestinezë ndjekin shkollat që ajo administron. Ajo menaxhon rreth 60 të ashtuquajtura kampe të refugjatëve, duke përfshirë 19 në Bregun Perëndimor, të cilat drejtohen nga autoritetet palestineze.
Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 1.7 milionë nga 2.4 milionë banorët e Rripit të Gazës janë të regjistruar si refugjatë, informon ARD.
Çfarë kontributesh paguajnë vende të ndryshme?
Në vitin 2022, ndihma e SHBA për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Mesmeështë 344 milionë dollarë. Vendi i dytë më i madh donator është Gjermania me një kontribut prej 202 milionë dollarësh. Pasojnë BE-ja, Suedia, Norvegjia, Japonia dhe Franca.
Izraeli i ka kritikuar prej kohësh këto pagesa si financim të mundshëm të tërthortë të organizatës Hamas, të cilën SHBA, BE dhe disa vende e konsiderojnë si organizatë terroriste.
Reagimet pas akuzave
Në përgjigje të pretendimeve për përfshirje të mundshme të zyrtarëve të Agjencisë në sulmin terrorist, vende të ndryshme, duke përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Australinë, Britaninë, Francën, Finlandën dhe Italinë thanë se do të pezullojnë pagesat e ndihmave. Ngrirjes së transfertave iu bashkua edhe Gjermania. Norvegjia dhe Irlanda kanë thënë se do të vazhdojnë të mbështesin organizatën pavarësisht akuzave.
Presidenti i autoriteteve palestineze Mahmoud Abbas akuzoi Izraelin për një fushatë shpifjeje kundër Agjencisë. Organizata terroriste Hamas foli gjithashtu për një fushatë shpifëse.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres u bëri thirrje vendeve që kanë pezulluar kontributet që të rishqyrtojnë vendimin e tyre. Financimi aktual nuk është i mjaftueshëm për të siguruar ushqimin e 2 milionë civilëve në Rripin e Gazës në shkurt, njoftoi ai gjithashtu, cituar nga ARD./DW