Tiranë, 27 gusht 2014 – Para trupit gjykues të Gjykatës së Apelit Tiranë, dy nga punonjësit e Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë, mohuan ekzistencën e një rregulloreje sigurie në institucion.
Të dyshuarit, Bashkim Xhilaga dhe Petrit Ramohitaj, të vënë nën akuzë për “shpërdorim detyre” pas skandalit të vjedhjes së 7.1 milionë dollarëve, pretendimet e tyre, i paraqitën para një tresheje gjykuese të Apelit gjatë shqyrtimit të ankimeve të tyre ndaj masës së sigurisë “arrest në burg” caktuar nga Shkalla e Parë.
I dyshuari Bashkim Xhilaga tha se ishte vënë në dijeni për rregulloren në datën 25 korrik, katër ditë pasi Prokuroria e Tiranës kishte regjistruar procedim penal ndaj tij.
“Rregulloren e mora dorazi më 25 korrik. Ma dha drejtori, në prezencë të nëndrejtorit, rregulloren e çelësave dublikatë. Sipas rregullores, unë kam detyrim për çelësat dublikatë dhe jo për çelësat në përdorim. Vjedhja është bërë me çelësat në përdorim”, tha i dyshuari Xhilaga.
Të njëjtin pretendim paraqiti edhe i akuzuari tjetër Petrit Ramohitaj. Në seancën e djeshme, trupa prej 3 gjyqtarësh të Apelit vendosi të lërë të pandryshuar masën e sigurisë së dhënë më parë nga Gjykata e Faktit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





