Tiranë, 18 korrik 2014 – Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e “arrestit me burg” për një ish-punonjëse banke të nivelit të dytë në Tiranë, e cila dyshohet nga Prokuroria për vjedhjen e llogarive bankare të klientëve të ndryshëm, me një dëm rreth 200 mijë euro. Masa e sigurisë sapo është ekzekutuar nga oficerët e Policisë së Shtetit.
“Sipas hetimit të Prokurorisë, shtetasja A. Aliaj, me detyrë specialiste krediti në filialin e një banke në Kamëz, nëpërmjet veprimeve të kundërligjshme, ka arritur të mashtrojë një numër të madh klientësh, duke u marrë atyre shuma të konsiderueshme parash nga llogaritë bankare ose duke u hapur, pa dijeninë e shtetasve llogari kredie, të cilat më pas i tërhiqte vetë.”- bëhet me dije nga policia.
Prokuroria e Tiranës e ka nisur hetimin, bazuar në kallëzimin e dorëzuar nga drejtuesit e bankës ku ushtronte funksionet shtetasja A. Aliaj, pas shqetësimeve që shumë klientë kishin paraqitur. Pas hetimeve paraprake, Prokuroria e akuzon shtetasen A. Aliaj për kryerjen e vepres penale te “Vjedhjes duke shperdoruar detyren” dhe “Falsifikimit te dokumentave nga personi qe ka per detyre leshimin e tyre”. Ndërkohë, po vijon hetimi për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të tjerë, të cilët dyshohet se e kanë ndihmuar shtetasen nën hetim për të realizuar qëllimet e saj.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





