Pas pak ditësh vjen Viti i Ri dhe shumë shqiptarë, duke sfiduar krizën ekonomike që ka mbërthyer Europën, do t’i dhurojnë vetes një udhëtim të shkurtër e të kushtueshëm jashtë shtetit. I shkurtër dhe i kushtueshëm, sepse tre apo katër ditët në dispozicion nuk mundësojnë amortizimin e shpenzimeve të biletës së avionit, në një vend ku nuk ekzistojnë fluturime low-cost. Dhe kush preferon të kursejë, duke zgjedhur një udhëtim të organizuar me autobus, do të humbasë një ditë të tërë për të shkuar dhe një tjetër për t’u rikthyer, duke zvogëluar qëndrimin në lokalitetin turistik me një apo dy ditë maksimumi. E njëjta gjë vlen për atë që do të përdorë makinën, dhe do t’i duhen orë e orë duke përshkuar qindra kilometra dhe nuk do të ketë kohë të shijojë qëndrimin, shpesh i reduktuar në një drekë, një darkë dhe një natë në hotel. Duke analizuar të gjithë rastet, vërehet një harxhim i tepërt parash përballë një kënaqësie tepër të vogël të pushimeve: avioni të jep mundësinë të arrish shumë shpejt kryeqytetet më të bukura europiane, por ka kosto të papërballueshme për ata që udhëtojnë me familjen; ndërsa autobuzi dhe vetura djegin kohë të çmuar, lodhin dhe bëjnë të kotë vetë objektivin e pushimeve, domethënë qëndrimin, vizitën dhe eksplorimin e destinacionit turistik.
Natyrisht, këto observacione janë të kushtëzuara nga një pikëvështrim i jashtëm, sepse qartësisht shqiptarët dëshirojnë të udhëtojnë me mënyrën e tyre dhe më shumë se një herë kam dëgjuar të pohojnë se “ne na pëlqen kështu dhe pra është mirë kështu”. Relativizmit kulturor nuk mund t’i kundërvihesh. Megjithatë këmbëngul të them se organizimi dhe çmimet e pushimeve të shqiptarëve lënë shumë të habitur cilindo që është lindur e rritur jashtë shtetit. Të habit koha e shkurtër e pushimit, që në botën perëndimore nuk do t’i mjaftonte askujt për “t’u shkëputur” me të vërtetë nga rutina e përditshme dhe nga lodhja e punës. Të habit lehtësia me të cilën shpenzohen shumë para, sidomos në një vend ku mbizotëron pasiguria totale e punës dhe pra edhe ekonomike e ekzistenciale. Të habit obsesioni për luksin, rëndësia që i jepet cilësisë së hotelit, ndërsa shpesh injorohen monumentet, muzeumet, ekskursionet, bukuritë natyrore. Të habit në fund preferenca për destinacione të arritshme me makinë, sikur turisti shqiptar të ndihej “lakuriq” pa status-simbolin e tij të preferuar, sikur të ishte i bindur se edhe jashtë shtetit respekti për qenien njerëzore vjen vetëm nga cilindrata e makinës së tij, dhe jo nga mënyra me të cilën di të përdorë thikën e pirunin.
Gjithë faji i “pushimeve” komuniste?
Nëse koncepti i “pushimeve” në Shqipëri është shumë i ndryshëm nga ai i botës perëndimore është për arsye të thella historike dhe antropologjike. Para së gjithash, është e qartë se shqiptarët nuk i konsiderojnë pushimet si një nevojë parësore apo një e drejtë themelore, për faktin e thjeshtë se idetë e “udhëtim për qejf” ose “udhëtim për njohje” ose “udhëtim për aventurë” nuk i përkasin zhvillimit historik dhe kulturës së popullit shqiptar. Para vitit 1945, varfëria që mbërthente vendin dhe mungesa totale e të drejtave të punëtorëve e bënin konkretisht të pamundur çdo lloj forme udhëtimi përveç emigracionit. Vetëm anëtarët e familjes mbretërore, politikanët dhe ndonjë latifondist kishin mundësinë të kalonin periudha të gjata jashtë shtetit, qoftë për arsye studimi dhe formimi profesional, qoftë për të hapur mendjet e veta, duke u zhyturnë realitete social-kulturore të ndryshme nga të tyret.
Edhe pse duke provuar për të rritur standartin e jetës së shqiptarëve dhe duke i njohur atyre të drejtën e pushimeve, komunizmi enverist vuri gurin e varrit mbi çdo oportunitet udhëtimi dhe madje, mbi çdo argëtim të vërtetë. Regjimi kishte gjetur një popull objektivi kryesor i të cilit ishte mbijetesa dhe që, jo vetëm për arsye ekonomike por edhe fetare e kulturore, bazonte jetën e tij mbi shtëpinë, mbi familjen dhe, maksimumi, mbi kafenenë e lagjes. Ishte një popull që kënaqej me pak, të cilit i mjaftonte vetëm një ditë e lirë në javë, sepse nuk do të kishte ditur si t’i kalonte dy ditë radhazi. Në fakt, koncepti i “weekend” që fillon të premten në orën pesë të pasdites dhe mbaron të djelën në darkë është tipik anglosakson dhe rrjedh nga zakonihistorik i borgjezisë urbane për të kaluar dy ose tre ditë në javë tek shtëpitë e bukura të fshatit. Në mungesë të lokaliteteve turistike që ndodhen maksimumi dy orë nga qyteti yt, është e kotë të flasësh për “weekend”.
Për 45 vjet, edhe duke pasur shtëpi, ushqim, punë dhe “pushime” të garantuara, shqiptarët kalonin kohën e tyre të lirë në shtëpi, ashtu siç kishin bërë për shekuj, por me ndryshimin se “vatra” e re ishte televizori dhe, thashethemet dhe tregimet mbi historinë e familjes u zëvendësuan me propagandën komuniste dhe ndonjë koncert me muzikë klasike, të rrezatuar nga “kutia magjike”. Shumica e shqiptarëve që jetuan nën komunizëm nuk e ndienë kurrë nevojën për t’u “arratisur” nga monotonia përsëritëse e ekzistencave të tyre, nuk vuanin kurrë depresionin dhe sensin e burgimit pa zgjidhje të shkaktuara nga rutina e përditshme. Ajo rutinë shtypëse ishte “modus vivendi” i vetëm që njihnin dhe, sipas një fenomeni të çuditshëm i ngjashëm me “sindromën e të burgosurit” (i cili, në fund të fundit, mësohet të jetojë i mbyllur dhe ka frikë nga liria), u bindën se monotonia përfaqësonte stilin më të mirë të jetës, ai më moral. E tillë ishte kjo bindje – frut i shekujve të jetës rural-baritore plus gjysëm shekulli komunizmi – që të gjithë edukuan edhe fëmijët të tyre të jetonin në të njëjtën mënyrë, duke i mësuar se asgjë s'është më e bukur sesa të kalosh një jetë të tërë me çdo ditë të njëjtë me tjetrën, të njëjtë me tjetrën, të njëjtë me tjetrën…
Përveç faktorit psikologjik e kulturor, elementë të tjerë që kufizuan zhvillimin e një koncepti të vërtetë të “udhëtimit” dhe “pushimit” ishin përmasat e vogla të vendit, dredhat e rrugëve, paranoja komuniste ndaj lëvizjeve brenda kufirit dhe nevoja për të kursyer. Ndërsa “komunizmi” jugosllav dërgonte sllovenët në plazhin e Malit të Zi dhe qytetarët e Dubrovnikut për të bërë ski në Zlatibor, në Shqipërinë enveriste të vogël dhe të blinduar ishte e pamundur t'i lejohej njerëzve të shijonin lirinë e udhëtimit, duke përshkuar qindra kilometra dhe duke u kënaqur me bukurinë e peisazheve shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Dredhat e rrugëve dhe ashpërsia e maleve bënin të gjata dhe të vështira edhe lëvizjet prej pak kilometrash në linjë ajrore – unë vetë kujtoj se, në 1999, duke u nisur nga Tirana, duheshin katër orë për të arritur në Rubik dhe gati pesë orë për t'u ngjitur në Burrel. Vetëm me një ditë pushim në javë, ishte e pamundur që një shqiptar të zgjohej të djelën dhe t'i thonte gruas: “Si mendon nëse sot shkojmë në Burrel dhe kthehemi në darkë?”. Nga ana e tij, regjimi kufizonte hapur lëvizjen brenda vendit, pikërisht për të mos ushqyer në popull dëshirën e eksplorimit, të lirisë, e të bukurisë natyrore: do të kishte qenë një hall i vërtetë, nëse një banor i të trishtuarit Ballsh do të kishte fiksuar në kokë se ishte më mirë të jetoje në Sarandë apo në Theth… prandaj ishte më mirë që gjithsecili të qëndronte urtë në shtëpinë e vet dhe të vetëbindej se pallati me tulla përballë dritares ishte panorama më e bukur në botë.
Me këto baza, shqiptarët arritën komplet të papërgatitur në 1991, vit i cili jo vetëm i riktheu atyre mundësinë për të emigruar në kërkim të fitimeve dhe punës, por, për herë të parë, i ofroi atyre oportunitetin e udhëtimit për qejf. Por pikërisht mungesa historike e eksperiencës turistike shkaktoi atë që shqiptarët të përqëndronin interesin e tyre jo mbi destinacionin e udhëtimit, jo mbi pasuritë artistike, natyrore dhe monumentale të vendeve që vizitonin, por vetëm mbi yjet e hoteleve dhe mbi mundësinë për të lëvizur me makinën e tyre, të bindur se shfaqja e “luksit” vlente më shumë sesa çdo aspekt tjetër i pushimeve. Është sjellja sociale tipike e atyre që kanë arritur një mirëqenie ekonomike të madhe në kohë tepër të shkurtër.
Nga kjelatori tek fuoristrada, udhëtarë për nga natyra
Megjithatë, historikisht, shqiptarët janë një popull që ka udhëtuar gjithmonë “për punë”, dhe sigurisht jo në kushte luksi: aktivitetet ekonomike antike të tyre i bënin të lëviznin vazhdimisht dhe, si rezultat, emigracioni u bë një faktor social-antropologjik konstant. E dimë se në gadishullin ballkanik blegtoria qe praktikuar që nga 10.000 para Krishtit dhe burimet antike dhe mesjetare dëshmojnë se fiset e barinjve paleoballkanikë ishin nomadë. Në kërkimin e vazhdueshëm të kullotave, barinjtë – që dokumentet bizantine dhe perëndimore i quanin “albanoi” dhe “vlachoi” – endeshin në territoret në kufi me qytetet dhe qendrat bujqësore. Disa komunitete baritore kishin vendbanime mjaft të qëndrueshme qoftë në luginë qoftë në mal, ndërsa në fillim të vjeshtës zbrisnin në ultësira.
Meqë i duhej të lëvizin në kërkim të vazhdueshëm të kullotave të reja, barinjtë paleoballkanikë shqiptarë dhe vllehë filluan të praktikonin edhe aktivitete tregtie, duke shitur prodhimet e ardhura nga blegtoria (djath, mish i tymosur, lëkurë, pëlhura leshi) dhe duke hyrë në tregun ndërkombëtar, nëpërmjet lidhjeve me Perandorinë bizantine, me Republikën e Venecias dhe me Perandorinë osmane. Për më tepër, familjariteti i tyre me shtigjet e maleve bëri që barinjtë të rekrutoheshin në ushtrinë bizantine si udhërrëfyes ushtarakë. Në fund, është kurioze të vërehet se një tjetër aktivitet tradicional i fiseve baritore ishte “ponos”, domethënë transporti i mallrave përgjatë distancave pa fund, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim të gadishullit ballkanik: termi “ponos” të çon pikërisht tek fjala “punë”, sikur transporti i mallrave të ishte për shqiptarët aktiviteti kryesor. Jo rastësisht, edhe në fillim të shekullit XX ishte dokumentuar aktiviteti i tregtarëve shëtitës që transportonin karvanë mallrash sidomos nga jugu i Shqipërisë drejt veriut, dhe përtej kufijve.
Në gjuhët sllave, këta transportues mallrash ishin të njohur me emrin e “kjelatori”, një deformim i fjalës latine “calator”, që do të thotë “karvanar”. Dhe në gjuhën aromune, “calator” do të thotë thjesht “udhëtar”, si provë se udhëtimi ishte konsideruar një punë, një stil jete. Ndoshta është për këtë lëvizshmëri të jashtëzakonshme që shqiptarët dhe vllehët janë përhapur nga Greqia deri në Istria, nga Dalmacia në Turqi, dhe mbiemrat e tyre gjenden edhe në Itali, Austri dhe Hungari. Kush nuk arrinte të kishte fat si tregtar, emigronte kudo të mundte. Që nga Mesjeta ka dëshmi të kolonive shqiptare në Venecia dhe përgjatë bregdetit adriatik italian, ndërsa emigracioni i shkaktuar nga pushtimi osman i dha jetë kolonive të arbëreshëve në Kalabri, të arvanitasve në Greqi dhe të arbanasve në Kroaci. Në epokën e Perandorisë osmane, Stambolli u bë pikësynimi më i preferuar i emigrantëve shqiptarë, ndërsa në shekujt XIX dhe XX fenomeni i kurbetit u përhap edhe në Egjipt, Rumani dhe Amerikë.
Ndërsa për shqiptarët udhëtimi ishte gjithmonë dhe vetëm një motiv përmirësimi i kushteve ekonomike, për intelektualët dhe borgjezët e Europës perëndimore ishte konsideruar si një rrugë për formimin kulturor, ose një pauzë reflektimi për vetë jetën, ose një dëshirë për aventurë, ose një burim frymëzimi poetik, ose mënyra për të harruar një dashuri të humbur, dhe pra qëndrimi jashtë shtetit duhej të zgjaste me muaj, ndoshta me vite. Në botën perëndimore, koncepti i udhëtimit nuk ka ndryshuar as edhe sot. Kush niset, dëshiron të qëndrojë jashtë shtetit për të paktën dy apo tre javë, qoftë për të amortizuar shpenzimet e udhëtimit, qoftë për të kuptuar realitetin e vendit që vizitohet. Por për shqiptarët është ndryshe. Kur shikoj familje që nisen të djelën në mëngjes “për të shkuar për një drekë” në Pogradec ose në Llogara, kuptoj se ajo që ka rëndësi nuk është destinacioni, por kënaqësia për të kaluar pothuaj të gjithë ditën në makinë, për të përshkuar sa më shumë kilometra të jetë e mundur. Trashëgimtarët e kjelatorëve janë akoma gjallë, por në vend të hipjes mbi mushkë ose mbi kalë, sot udhëtojnë me fuoristrada.