TIRANË – Nxënësit e arsimit parauniversitar, nisin pushimet dimërore me 21 dhjetor dhe do t’i vijojnë deri pas ditëve festive të Vitit të Ri 2013. Mësimi në shkolla do të rinisë të hënën e 7 janarit 2013.
Ministria e Arsimit, më parë kishte përcaktuar që pushimet e fundvitit të fillonin me 24 dhjetor, por kjo zhvendosje nga plani, lidhet me faktin, se data 21 shënon ditën e premte, dhe fillimin e fundjavës (22 dhe 23 dhjetor), ndërkohë që pas të hënës do të festohen Krishtlindjet.
Nxënësit padyshim, shprehen të kënaqur për këtë zhvendosje, pasi ka dhe nga ata që i besojnë kalendarit majan se e premtja e 21 dhjetorit do të jetë fundi i botës. Madje disa nga gjimnazet në Tiranë kanë kërkuar që në këtë datë të shumëpërfolur të mos zhvillohet mësim.
Ky vit shkollor nisi në shtator. Semestri i parë i shkollave të arsimit bazë përfundon më datë 23 janar 2013 dhe semestri i dytë fillon më datë 28 janar 2013.
Për të gjithë sistemin e arsimit parauniversitar do të ketë pushim në periudhën 27 – 31 mars 2013. Në udhëzimin e Ministrisë përcaktohet se arsimi bazë e mbyll vitin shkollor më 7 qershor 2013.
Periudha e Provimeve të Lirimit do të jetë në datat 10 – 23 qershor 2013. “Arsimi i mesëm (pa Maturën) do të përfundojë më 14 qershor 2013. Për maturantët viti shkollor do të mbyllet më 24 maj 2013. Periudha e provimeve të Maturës Shtetërore do të jetë në datat 24 maj – 30 qershor 2013.





