Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pushuar në hotelin “Carlton” në Sant Moritz të Zvicrës. Ky fshat turistik është më i shtrenjti në botë. Pushimet familjare të Haradinajt kanë zgjatur nëntë ditë. Suita “Czar” prej 160 metrash katror, në kohën e ndërrimit të viteve ka arritur çmimin mbi 5 mijë franga për një natë. Një darkë natën e vitit të ri në këtë hotel ka kushtuar një mijë e 50 franga. Nuk dihet saktësisht se sa ka paguar Haradinaj, por bazuar në çmimet publike të hotelit, kryeministrit mund t'i kenë kushtuar mbi 80 mijë franga. Në Zyrën e kryeministrit nuk kanë pranuar të tregojnë se sa kanë kushtuar dhe kush i ka paguar shpenzimet, me arsyetimin se “Kryeministri nuk ka qenë me agjendë shtetërore, por private dhe familjare dhe se institucioni nuk bart asnjë kosto materiale”.
Një darkë natën e ndërrimit të viteve në hotelin ku ka pushuar kryeministri Ramush Haradinaj, ka kushtuar një mijë e 50 franga zvicerane.
Haradinaj ka qenë me persona të tjerë në darkën e vitit të ri në këtë hotel. Çmimi për gjashtë persona arrin mbi gjashtë mijë franga.
Çmimi për një mëngjes i publikuar në faqen e këtij hoteli ka kushtuar hiç më pak se 800 franga.
Haradinaj, së bashku me bashkëshorten Anitën, tre fëmijët dhe djalin e vëllait të tij, Dautit, ka pushuar në hotelin “Carlton” në Saint Moritz në Zvicër.
Qendra e skijimit në Saint Moritz është me e shtrenjta në botë. Hoteli “Carlton” i ndërtuar në stilin rus në alpet zvicerane përballë një liqeni, është në mesin e pesë hoteleve më të mira dhe më të shtrenjta në këtë qendër.
Aty, familja Haradinaj ka pushuar në këtë hotel nga 25 dhjetori 2017 deri më 2 janar 2018.
Dhoma më e lirë në këtë hotel për një natë është nga 1 mijë e 300 franga. Çmimet arrijnë deri në pesë mijë franga, për një natë.
"Insajderi" ka mësuar se kryeministri i një prej shteteve më të varfra në Evropë – Kosovës, është vendosur në suitën e quajtur “Czar” prej 160 metrash katror. Në kohën e pushimeve të vitit të ri, çmimi i kësaj suite ka qenë fiks 40 mijë e 600 franga për shtatë ditë.
Çmimet marramendëse
Nuk dihet saktësisht se sa ka paguar Haradinaj për pushimet në fshatin luksoz në Zvicër. Por, bazuar në çmimet publike të hotelit, pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar rreth 80 mijë franga.
Pos familjes që ka pushuar në suitën “Czar” në hotelin “Carlton”, Haradinaj ka pasur me vete edhe mbrojtjen e afërme. Ata kanë qëndruar në dhomën me numër 43.
Të ardhurat mujore të kryeministrit Haradinaj nga paga, qiraja dhe paga e bashkëshortes që peshon 12 mijë e 400 euro në muaj nuk i mbulojnë këto shpenzime. Para të kursyera në bankë, Haradinaj ka deklaruar se i ka 20 mijë e 581 mijë euro.
Ndërkaq, të hyrat vjetore të Ramush Hardinajt dhe bashkëshortes janë të mëdha, mirëpo pushimet nëntë ditore për një familje gjashtë anëtarëshe në hotelin, “Carlton” në Saint Moritz kushtojnë sa të hyrat gjashtëmujore të kryeministrit.
Vetëm nga pagat, çifti Haradinaj merr rreth 69 mijë euro në vit, ndërsa nga qiraja e shtëpisë merr 73,469 euro në vit, apo gjithsej rreth 142 mijë euro në vit.
Insajderi ka pyetur Zyrën e kryeministrit se sa kanë kushtuar këto shpenzime në hotel “Carlton” dhe se kush i ka mbuluar.
Përgjigja e tyre ka qenë se meqë pushimet nuk kanë pasur karakter shtetëror, por privat nuk mund të përgjigjen.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës nuk ka qenë me agjende shtetërore, por private dhe familjare. Institucioni nuk bartë asnjë kosto materiale”, thuhet në përgjigjen e shkurtër të Zyrës për komunikim publik të kryeministrit.
Insajderi ka kontaktuar me hotelin “Carlton” në Saint Moritz, por kanë zgjedhur të mos japin asnjë informacion rreth klientëve.
“Nuk mund të jap informacione. Askush nga [stafi] i hotelit nuk mund të flasë për klientët tanë”, kanë thënë nga recepsioni i hotelit “Carlton”, për Insajderin.
Saint Moritz është fshat turistik në juglindje të Zvicrës, pjesë e Kantonit të Grisonsit. Ky fshat shtrihet në vargmalet Albula, me një lartësi prej 1 mijë e 800 metrave mbi nivelin e detit. Saint Moritz ka një popullsi prej rreth 5 mijë banorësh.
Fshati njihet si qendër e turizmit dimëror në Zvicër. Në Saint Moritz janë zhvilluar dy herë Lojërat Olimpike dimërore: në vitet 1928 dhe 1948.
Ndërkaq, hoteli “Carlton” është ndërtuar më 1913-n. Ka 60 suita me pamje nga liqeni. Lidhur me hotelin ekziston edhe një legjendë. Thuhet se është ndërtuar për të shërbyer si rezidencë e Carit të Rusisë, Nikolasit të Dytë.
Lëvizjet e kryeministrit
Ditën e udhëtimit të Haradinajt me familje për Saint Moritz është publikuar një fotografi në aeroplan. Të nesërmen më 26 dhjetor Haradinaj është rikthyer në Kosovë. Ka mbajtur një mbledhje të Qeverisë duke urdhëruar të gjithë ministrat që të jenë në punën natën e vitit të ri. Por, ai vetë ka udhëtuar sërish për pushime me 29 dhjetor.
Në një intervistë për Lajmi.net, Haradinaj ka thënë se në Zvicër ka shkuar vetëm për një natë. Natën e vitit të ri ka publikuar një urim të shoqëruar me fotografi familjare të shkrepur në shtëpinë e tij. Mirëpo, në kohën e postimit, Haradinaj ka qenë në një prej hoteleve më të shtrenjta.
“Në prag të ndërrimit të moteve kam marrë urime të panumërta, nga shqiptarë çdo kund në botë, nga qytetarë kosovarë e miq të Kosovës, me urimet më të mira për mua, Anitën dhe fëmijët, për familjen time të gjerë, Haradinaj! Më kanë uruar për prosperitetin e Kosovës, që na obligon t’i shërbejmë me devotshmëri dhe dashuri”, ka shkruar Haradinaj.
“Jam i vetëdijshëm se Atdheu ynë, Republika e Kosovës, ka përpara shumë sfida, por zotohem se nuk do t’ju zhgënjej, sepse do të përballem me tërë fuqinë e mendjes dhe shpirtit me problemet e vendit dhe së bashku me ju qytetarë kosovarë – me forcën e ligjit – do ta bëjmë një Kosovë të jetueshme, për vete dhe brezat që vijnë pas nesh”, ka vazhduar Haradinaj.
Rritja e pagës
Pak kohë para se të nisej për pushime, Haradinaj mori vendim që t’ia dyfishojë vetes pagën, nga 1.500 euro në muaj, në 3.000 euro. Ky vendim për rritjen e pagës së tij dhe anëtarëve tjerë të kabinetit u vlerësua si i kundërligjshëm.
Kur e arsyetoi këtë vendim, Haradinaj tha se 1.500 euro janë pak për një kryeministër. Me kaq para, sipas tij kryeministri “ose është i korruptuar, ose i pasinqertë”.
Në një intervistë tjetër, Haradinaj ishte ankuar se han bukë të ftohtë, në këmbë e veturë.
“Unë ha bukë në kerr, ha bukë në këmbë, ha ushqim të ftohtë, rrallë ha ushqim të nxehtë. Ky është privilegji i të qenit kryeministër”, kishte thënë ai.
/Insajderi.com/