8 shtator 2015 – Mjaft durrsakë kanë blerë kohët e fundit shtëpi të dyta në Pogradec. 

Qyteti piktoresk buzë liqenit me të njëjtin emër është i njohur për qetësinë dhe freskinë që e karakterizon, veçanërisht gjatë stinës së verës. Pas manisë fillestare për të pasur një shtëpi në zonën e Golemit apo Shkëmbit të Kavajës, tashmë ata që kanë mundësi financiare kërkojnë apartamente në zona të qeta dhe të gjelbërta.

Banesat e para modeste në Pogradec i kanë blerë në filim të viteve 2000 personazhe të njohura të jetës sportive dhe artistike të qytetit bregdetar, ndërsa fenomeni ka marrë përmasa të reja gjatë viteve të fundit.

Aktualisht disa mjekë të nderuar durrsakë, si dhe mësues e biznesmenë kanë apartamentet e tyre në pjesën turistike të qytetit buzë liqenit.

Janë të shumtë familjarët durrsakë që zgjedhin Pogradecin për pushimet verore dhe një pjesë e tyre, falë edhe profesioneve e biznesit të fëmijëve, tashmë kanë edhe apartamentet e tyre në qytetin turistik.

/portali DurresLajm/