Sipas drejtorit Ademi pushteti lokal ka dëshmuar në gjithë këto vite mungesë vullneti për t’iu përgjigjur qytetarëve

Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a. Durrës, Doklead Ademi, është shprehur se ekzistojnë të gjitha mundësitë për të kaluar këtë shoqëri në varësi të qeverisjes vendore dhe konkretisht të bashkive dhe komunave. Çështja në fjalë ka më shumë se 4-5 vite që diskutohet, pasi bashkia e Durrësit ka kundërshtuar të bëjë një hap të tillë duke dhënë justifikimet e saj. “Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a. duhet të kalojë sa më parë në varësi të bashkisë së Durrësit”,- ka thënë prerazi Ademi i cili ka dhënë edhe arsyetimet në mbështetje të pohimeve të tij. “Frika që ka bashkia rrjedh nga mungesa e vullnetit, pasi me këtë kundërshtim të pabazuar administrata e saj dëshmon se nuk është e zonja t’i përgjigjet qytetarëve”,- ka vijuar drejtori Ademi. Sipas tij zvarritja që i bën bashkia nuk ka të bëjë aspak me situatën deficitare të shoqërisë anonime të Ujësjellës-Kanalizimeve. Drejtori ka pranuar gjendjen jo të mirë të bilancit financiar të shoqërisë duke deklaruar se situata defiçitare e ujësjellësit është e tillë prej 20 vitesh.

Por më tej ai ka bërë të qartë se vetëm në dy vitet e fundit është përgjysmuar borxhi që i detyrohet kompanisë çeke CEZ dhe për herë të parë ndërmarrja ka investuar me fondet e saj miliona dollarë në pesë projekte vetëm gjatë vitit 2012. “Sot çmimi i ujit është nën kosto 50 përqind dhe me kalimin nën administrim tek bashkia uji do të shitet sipas kostos, ndërkohë që kjo shmang çdo panik për ndonjë situatë defiçitare”,- arsyetoi Ademi. Drejtori ka dhënë shpjegime edhe për mënyrën e faturimit të atyre familjarëve apo bizneseve që janë jashtë juridiksionit të bashkisë së Durrësit, sepse dihet që ndërmarrja e Ujësjellësit furnizon me ujë tre qarqe. Ademi ka thënë se ligji e ka të përcaktuar me saktësi dhe pa asnjë ekuivok detyrimet që rrjedhin në bazë të aksioneve dhe përqindjes që kanë në këto aksione njësitë vendore. “Ujësjellësi i Durrësit furnizon tre qarqe me ujë të pijshëm dhe kjo është marrë parasysh në ligjin përkatës”,- u shpreh drejtori i UK-së. Ai ka ribërë të ditur se arsyeja e vetme që ky proçes zvarritet ka të bëjë me mungesën e vullnetit nga ana e bashkisë së Durrësit.

 

Bizhga

Sot si shkak i korrupsionit dhe paaftësisë së menaxhimit ky ent ka një humbje të 65-70% të ujit të prodhuar. Nga 30% e ujit të prodhuar që faturohet, vetëm 40 % e tij arrin të arkëtohet. Sot borxhi i UK Durrës kundrejt CEZ arrin 5 milionë euro i krijuar vetëm tre vitet e fundit dhe thellohet me 320 mijë euro fatura të papaguara çdo muaj


Ademi

Në vitin 2012 humbjet janë në masën 54 përqind nga 74 përqind para tre vitesh, kurse arkëtimi është në shifrat 78 përqind përkundrejt 72 përqind një vit më parë. Informacionet e Bizhgës qëndrojnë, por janë të vjetra pasi ai ka mbetur në statistikat e vitit 2009. Po tregojmë kujdes për të minimizuar humbjet në rrjet dhe rritur arkëtimet

 

Reagimi

Drejtori i Ujësjellësit, Doklead Ademi, ka reaguar lidhur me akuzat e ngritura nga deputeti Gazmir Bizhga për mënyrën e administrimit të ndërmarrjes, faturimet, humbjet në rrjetin e ujit, përdorimin e fondeve dhe menaxhimin e institucionit. “Informacionet e Bizhgës qëndrojnë, por janë të vjetra pasi ai ka mbetur në statistikat e vitit 2009”,- ka qenë reagimi i parë nga Ademi. Nga ana tjetër drejtori ka theksuar se statistikat e bëra publike nga deputeti secialist në të cilat thuhet se “vetëm 30 përqind e ujit faturohet dhe se vetëm 40 përqind e ujit të faturuar arkëtohet” i përkasin viteve të shkuara.  Sipas drejtuesit të shoqërisë anonime në vitin 2012 humbjet janë në masën 54 përqind nga 74 përqind para tre vitesh, kurse arkëtimi është në shifrat 78 përqind përkundrejt 72 përqind një vit më parë.

Ndërmarrja sipas drejtorit, veç kujdesit që po tregon për arkëtimet, po i kushton vëmendje të veçantë uljes së humbjeve në rrjet. “Nëse Bizhga bëhet merak se ku kanë shkuar paratë e arkëtimeve dua t’i kujtoj se për herë të parë në 20 vite janë realizuar pesë investime shumë të rëndësishme që kanë kushtuar miliona lekë fonde të ndërmarrjes”,- ka thënë Ademi. Ai ka veçuar investimin në Plazh me një fond 110 milion lekë për shtrirjen e rrjetit në 45 km tubacion; investimi Plepa-Përroi i Agait 40 milion lekë për rrjetin e përfunduar në 25 km; rrjeti në Perlat të Sukthit për shtirjen e tubacioneve, ndërtimin e depos dhe linjën shpërndarëse për çdo familje; investimi në Kodër Sukth për 520 familje etj. Drejtori Doklead Ademi ka pohuar gjithashtu se në vitin 2009 kishte 44 mijë faturime, ndërsa në vitin 2012 numërohen 60 mijë faturime, apo 16 mijë faturime më shumë. “Deputeti Bizhga duhet të dijë gjithashtu se për herë të parë ne kemi ngritur Auditin e brendshëm në vitin 2010, ndërkohë që vet ndërmarrja jonë ka kërkuar kontroll nga KLSH dhe në dy të tilla rezulton të mos jetë konstatuar asnjë shkelje apo abuzim me fondet”,- ka deklaruar Ademi. Drejtori ka pranuar se janë blerë dy fuoristrada të cilat kanë kushtuar rreth 10 mijë euro.

Njëra është vënë në shërbim të Inspektariarit të ujit dhe tjetra të ekipit në zonën e fshatit për të monitoruar 42 km vijë tubacion kryesor, tubacion që është i riskuar nga ndërhyrjet e paligjshme. “Në sajë të këtij investimi,- ka bërë të ditur Ademi,- është bërë e mundur shmangia e ndërhyrjeve abuzive, duke bërë që nga 315 litër ujë në sek që hynin në Durrës gjatë vitit 2010, të hynë 580 litër ujë në sek gjatë kësaj vere.


Avaria

Pak ditë më parë në tubacionin kryesor të transmetimit Fushë Kuqe-Durrës ka ndodhur një avari e rëndë. Specialistët e ujësjellësit kanë thënë se kjo avari ka qenë më e madhja e ndodhur në 20 vitet e fundit duke shkaktuar humbje të mëdha uji në pikun e kërkesës. Plasja e tubacionit ka ndodhur në vendin e quajtur Mulliri i bulgari, një zonë me një numër të madh ndërtimesh. Kjo madje e ka vështirësuar shumë punën e grupit të avarive, të cilëve u është dashur 12 orë punë për të rikthyer në normalitet situatën e rëndë. Inxhinierë të ndërmarrjes kanë bërë të ditur se avaria ka ndodhur për shkak të amortizimit të rrjetit i cili daton të jetë shtrirë në vitin 1970, ndërkohë që nuk është bërë asnjë investim tjetër për të zëvendësuar tubacionin. Për shkak se presioni ka shkuar në 15 atmosferë (atm) speseri i tubacionit është dëmtuar rëndë. Çarja e tegelit të tubacionit ka shkaktuar një shpërthim të fortë si rezultat i presionit dhe për këtë arsye është krijuar një “krater” me diametër 10 m. Ndërmarrja ka mundur ta riparojë brenda ditës këtë problem teknik duke mos shkaktuar probleme në furnizimin me ujë të pijshëm.


Ademi

Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a. duhet të kalojë sa më parë në varësi të bashkisë së Durrësit. Frika që ka bashkia rrjedh nga mungesa e vullnetit, pasi me këtë kundërshtim të pabazuar administrata e saj dëshmon se nuk është e zonja t’i përgjigjet qytetarëve.


Dako

Është Këshilli Bashkiak ai që e merr në pronësi transferimin që kërkon të na bëjë qeveria. Nuk është vetëm një njësi Bashkia e Durrësit, por janë 13 njësi aksionere të kësaj ndërmarrjeje. Me këtë mënyrë transferimi nuk jemi dakord që ta marrim ne në varësi UK Durrës.