Ish kryeministri Sali Berisha ka komentuar sot nisjen e pushtimit të Ukrainës dhe theksoi se Rusia do të dalë e humbur.

Sipas Berishës, Rusia dhe Putin kanë nisur zyrtarisht Luftën e Tretë Botërore.

“Putin dhe Rusia nisën sot de fakto luftën e tretë botërore. Paqja e vendosur pas Luftës së Dytë Botërore në kontinentin tonë mori fund me këtë agresion. Rusia de fakto është vendi që nisi Luftën e Parë Botërore sepse ajo nisi e para mobilizimin për të sulmuar Gjermaninë, në Luftën e dytë Botërore dihet që Gjermania naziste nisi Luftën e Dytë por rufeshëm në këtë luftë u bashkua Rusia me paktin e tyre me të cilët këto dy vende pushtuan Poloninë. Së treti Rusia e vetme pa motiv dhe përveç ambicieve imperiale të “carit” të saj sot sulmon një vend të lirë dhe të pavarur. Shqipëria sot është vend i NATO-s. Rusia do të humbë këtë luftë dhe fundi i saj do të jetë më tragjike që ka pasur në këtë histori, një fund i merituar. Shqipëria është anëtar i NATO-s. Do të përmbushë cdo detyrim që vjen nga kjo aleancë. Ne shprehim solidaritetin më të madh me popullin ukrainas dhe dënojmë agresionin rus të urdhëruar nga Putin.“, tha Berisha.