Rusia është e “pamposhtur” siç ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore, tha presidenti rus, Vladimir Putin në një takim me nxënësit dhe studentët në kuadër të fillimit të vitit shkollor.
“E kam kuptuar pse e fituam luftën e madhe patriotike: është e pamundur të mposhtet një popull me një forcë të tillë mendore. Ne ishim absolutisht të pathyeshëm dhe sot jemi të njëjtë”, u tha ai studentëve në një fjalim televiziv. Putini po fliste për letrat që babai i tij, i cili luftonte në front, shkëmbente me gjyshin e presidentit rus.
Takimi i tij me nxënësit u zhvillua me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor dhe fillimit të “Bisedave të Rëndësishme”, kurseve të edukimit patriotik që u futën në programin shkollor menjëherë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.
Rusia po e paraqet pushtimin e saj ndaj fqinjit të saj si një betejë ekzistenciale, duke akuzuar Ukrainën se është në duart e neo-nazistëve anti-rusë në shërbim të një Perëndimi të prirur për të shkatërruar Rusinë. Putin gjithashtu paraqet Krimenë, e cila u aneksua në vitin 2014, si dhe zonat e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore si territore historikisht ruse që nuk duhej t’i ishin aneksuar kurrë Ukrainës.