Ramadan Gashi së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijet ka mbërritur këto ditë në plazhin e Durrësit nga Drenasi i Kosovës. Ai punon në Organizatën e Veteranëve të Luftës në Kosovë prej vitesh.
Familja e tij është fanatike e plazhit të Durrësit. Për 10 vjet me radhë familjarisht pushojnë në bregdetin durrsak ku kanë edhe miqtë e tyre që i mirëpresin. Babai i tre fëmijëve është akomoduar në një apartament 2+1, në zonën Teuta, vetëm pak metra larg prej bregut të detit. Ata do të qëndrojnë për një javë, në apartamentin e prenotuar.
“Vij nga Drenasi dhe kemi prenotuar një apartament 2+1, i cili ka të gjitha kushtet e një banese shumë të mirë. Ka dhoma gjumi, kuzhinë, sallon ku qëndrojnë dhe gatuajmë. Kushtet janë perfekte dhe ne kënaqemi në plazh. Paguajmë 25 euro, për një familje pesë anëtarëshe për banesën.
Ramadani ka parashikuar që për 7 ditë të shpenzojë 600 euro në plazhin e Durrësit duke përfshirë banesën me qira ushqimin argëtimin e çdo gjë tjetër. “Çmimet janë reale, nuk janë të shtrenjta. Njësoj si në Kosovë janë. Në dyqanin ku blejmë çmimet janë reale.
Por pushuesi ngre një tjetër problem. Ai thotë se nëse do të shkojë në dyqan tjetër shitësja do të ngrejë çmimet e produkteve ushqimore. “Na shikojnë që jemi pushues vijmë për pak ditë dhe bëjnë lëvizje me çmimet në dyqane. Sot artikullin e marr me çmimin real e të nesërmen e rrisin me 500 lekë. Në këtë drejtim mendoj se duhet parë kjo gjë”- thotë pushuesi.
K.H.