Këtë javë, Durrësi nisi sezonin turistik me një mori aktivitetesh muzikore dhe sportive, brenda në qytet por edhe përgjatë vijës bregdetare.
Megjithëse jemi në javën e parë të majit, plazhi ende ka pak pushues. Për një çift nga Peja dhe një tjetër nga Greqia, që prej disa ditësh po kalojnë pushimet në Durrës, ndryshimet për mirë vihen re çdo vit.
Përgjatë vijës bregdetare, leshteriku është pastruar dhe i gjithë plazhi është i pastër. Ky fakt pozitiv konstatohet nga banorët e zonës dhe pushuesit.
Por një kërkesë primare për qytetarët durrsakë mbetet shtimi i hapësirave për plazhe publike.
Lokalet dhe restorantet buzë detit kanë ende pak klientelë në ditë jave, ndërkohë që fundjavat janë ditët me ngarkesën më të madhe.
Pritshmëritë e këtij sezoni janë të mëdha për sektorin e turizmit në Durrës, njëri nga më të dëmtuarit vitet e fundit për shkak të tërmetit dhe pandemisë. Qytetarët nga ana tjetër kërkojnë më shumë angazhim të autoriteteve, sidomos në drejtim të pastrimit, nisur edhe nga problematikat e sezonit të kaluar.
Përgjatë vijës bregdetare ende nuk ka nisur vendosja e shezlloneve, për shkak të kapriçove të motit. Sinoptikanët kanë parashikuar një maj me temperatura 2-3 gradë mbi normalen, duke i paraprirë kështu më herët sezonit të plazhit në ditët në vazhdim.
M.B.