Një gushti ka shënuar dyndje të madhe drejt plazhit të Durrësit. Dhjetëra autobusë e mjete nga Kosova, Maqedonia e trevat e tjera shqipfolëse, i janë drejtuar plazhit tradicional të vendit, që në orët e para të mëngjesit.

Pushuesit nga Kosova thonë se kanë mbërritur në plazhin më të madh të vendit, ashtu siç e kanë pasur traditë edhe vitet e shkuara.

Rruga "Pavarësia" është mbushur me pushues të cilët kanë qenë në kërkim të banesave dhe hoteleve ku do të kalojnë pushimet e tyre verore. Janë kryesisht familjarët ata me fëmjë të vegjël, që plazhin e madh të Durrësit e kanë mundësinë më të mirë të mundshme që me pak shpenzime të kalojnë pushime pranë detit. Deti është i cekët, nuk ka asnjë rezik për fëmijët, dhe në këtë mënyrë argëtohen.

Muaji korrik shënoi numrin më të ulët të pushuesve në plazhin e Durrësit. Autobusët nga Kosova nuk u lejuan të hynin për një javë në këtë rrugë dhe kjo solli braktisjen e plazhit nga pushuesit.

K.H.