Këtë fillim sezoni veror, Durrësi është kthyer në një atraksion turistik për pushues të vendeve skandinave dhe kryesisht të Evropës lindore. Në qytetin bregdetar, në hotelet buzë Adriatikut, kanë mbërritur shumë turistë të huaj.
Rritja e fluksit të të huajve që kanë prenotuar, në bregdetin Adriatik ka rritur edhe përgjegjësinë e operatorëve turistikë për të rritur cilësinë e shërbimit në njësitë e tyre akomoduese.
Hotelet, kryesisht ato me katër dhe pesë yje që ndodhen përgjatë vijes bregdetare, janë thuajse të prenotuar përgjatë tre muajve të verës me pushues nga vendet skandinave dhe pushues nga vende të ndryshme të Evropës dhe nga kontinente të tjera.
Elidon Delilaj, menaxher i njërit prej hoteleve në bregdetin e Durrësit, thotë se hoteli i tij që disponon 140 dhoma është i prenotuar nga pushues të ndryshëm nga Norvegjia, Finlanda, Danimarka, Suedia dhe nga shtete të ndryshme evropiane deri në fund të muajit gusht.
Sipas Delilajt, pushuesit ngelën shumë të kënaqur me infrastrukturën e përgjithshme, qoftë si shërbim në hotelin ku qëndrojnë ashtu edhe sa i përket bregdetit dhe janë të shumtë ata që rikthehen sërish. Pushuesit thonë se bregdeti i Durrësit, njerëzit dhe shërbimi po u lë mbresa shumë të mira.
K.H.





