TAJLANDE, 13 shkurt 2013 – Në Tajlandë 9 çifte kanë nisur të garojnë të martën për puthjen më të gjatë, puthje që duhet të zgjasë më shumë se 50 orë e 25 minuta, që është rekordi i mëparshëm Guinness.
Në garë janë përfshirë edhe një çift të moshuarish, përkatësisht 74 dhe 72 vjeç si dhe një çift homoseksualësh. Çiftet e kanë të ndaluar të ulen, ndërsa në tualet mund të shkojnë vetëm pas gjashtë orësh nga fillimi i puthjes. Po ashtu, duhet të qëndrojnë zgjuar dhe të mbajnë kontaktin e vazhdueshëm të buzëve.
Ata mund të pijnë vetëm ujë përmes pipave, por edhe në këtë rast nuk duhet të shkëpusin kontaktin e buzëve. Mbetet për t’u parë nëse do të arrijnë të rezistojnë deri në fund.