Presidenti rus Vladimir Putin do të presë homologun turk Rexhep Tajip Erdogan për bisedime të hënën, njoftoi Kremlini të premten, më shumë se gjashtë javë pasi Moska u tërhoq nga marrëveshja e ndërmjetësuar nga Ankaraja dhe OKB-ja që lejonte eksportin e grurin ukrainas në mënyrë të sigurt drejt tregjeve botërore, pavarësisht luftimeve 18 mujore.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidentët Putin dhe Erdogan do të takohen të hënën në vendpushimin rus në Detin e Zi, Soçi.

Njoftimi u dha fund javëve të tëra spekulimesh se kur dhe ku mund të takoheshin dy udhëheqësit, ndërsa vazhdojnë përpjekjet ndërkombëtare për të ripërtërirë marrëveshjen që bën të mundur dërgimin e drithërave dhe ushqimeve të tjera në pjesë të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë, ku po shtohet rreziku i përhapjes së urisë.

Ukraina dhe Rusia janë të dyja furnizuese kryesore globale të grurit, elbit, vajit të lulediellit dhe mallrave të tjera tek të cilat mbështeten vendet në zhvillim.

Turqia, së bashku me Kombet e Bashkuara, ndërmjetësuan marrëveshjen e korrikut të vitit 2022, e cila i dha mundësinë Ukrainës të rifillonte transportin e produkteve ushqimore nga tre porte të Detit të Zi.

Bazuar në këtë marrëveshje, inspektimet e anijeve dhe ngarkesave u mbikëqyrën nga Turqia. Ukraina eksportoi pothuajse 33,000 tonë drithë ndërsa marrëveshja ishte në fuqi.

Roli i Ankarasë ishte kyç. Turqia është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Rusisë dhe një qendër logjistike për tregtinë e jashtme të Rusisë mes sanksioneve perëndimore.

Në një tjetër memorandum, për të cilin u ra dakord në të njëjtën kohë me nismën e Ukrainës, Rusia dhe Kombet e Bashkuara u zotuan për të ndihmuar në tejkalimin e pengesave ndaj eksporteve ruse të ushqimit dhe plehrave, për shkak të luftës. Zyrtarët rusë kërcënuan vazhdimisht se do të tërhiqeshin nga marrëveshjet dhe e bënë këtë në korrik, me pretendimin e mospërmbushjes së kushteve të memorandumit.

Rusia është ankuar se kufizimet në transport kanë penguar eksportet e saj bujqësore, por ajo ka eksportuar sasi rekord gruri që nga viti i kaluar.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i dërgoi Rusisë një propozim të ri me shpresën për të rikthyer marrëveshjen, por ai nuk i plotësoi kërkesat e Moskës, tha të enjten ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov ndërsa priti homologun e tij turk, Hakan Fidan.

Zoti Lavrov tha se i kishte dhënë qeverisë turke një listë me veprimet që duhet të ndërmarrë Perëndimi në mënyrë që të rifillojnë eksportet e Ukrainës në Detin e Zi të. Bisedimet e planifikuara ndërmjet presidentëve Putin dhe Erdogan mund të ndihmojnë në zhbllokimin e marrëveshjes.

Njoftimi i takimit të së hënës përkoi me nisjen e dy anijeve mallrash nga qyteti port i Ukrainës Yuzhne.

Nuk ishte e qartë se në çfarë rrethanash ligjore dhe sigurie kishin lundruar anijet.

Ndërkohë, zyrtarët rusë thanë të premten se mbrojtja ajrore intereceptoi dronët që po u drejtoheshin tre prej rajoneve perëndimore të vendit. Guvernatorët rajonalë thanë se sistemet e mbrojtjes ndaluan tre dronë në rajonet Kursk, Belgorod dhe Moskë.

Aeroportet e Moskës ndërprenë për pak kohë fluturimet, por nuk pati njoftime për dëme të mëdha apo lëndime, sipas autoriteteve ruse.

Dronët, që synojnë objektivat brenda Rusisë, për të cilët Moska fajëson Ukrainën, janë bërë thuajse të përditshëm, ndërsa lufta ka hyrë në muajin e 19-të dhe forcat e Kievit po vazhdojnë kundërofensivën ndaj trupave ruse.

Kohët e fundit, dronët kanë arritur në zona në zemër të Rusisë.

Strategjia e dukshme e Ukrainës është të nervozojë Rusinë dhe të shtojë trysninë mbi presidentin rus Vladimir Putin, megjithëse zyrtarët e Kievit kryesisht as marrin përsipër dhe as mohojnë përgjegjësinë për sulmet në territorin rus.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë nëse dronët janë lëshuar nga Ukraina apo nga brenda Rusisë.

Shefi i zbulimit ushtarak të Ukrainës, gjeneral major Kyrylo Budanov, tha në një intervistë për gazetën online The War Zone se “ne veprojmë nga territori i Rusisë”. Ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Ndërkohë, imazhet satelitore të analizuara nga agjencia e lajmeve Associated Press tregojnë se sulmet me dron, që dyshohet se janë kryer nga Ukraina, të martën vonë, shkatërruan të paktën dy avionë transporti ushtarak Ilyushin Il-76 në një bazë ajrore ruse.

Sipas gjeneralit Budanov, avionët e transportit u vunë qëllimisht në shënjestër.

Imazhet e marra të enjten tregojnë aeroportin ndërkombëtar “Princesha Olga Pskov”, që është një aeroport ushtarako-civil rreth 700 kilometra në veri të kufirit me Ukrainën dhe afër Estonisë dhe Letonisë.

Avionët e transporti ushtarak Ilyushin Il-76 me katër motorë janë ndër mjetet më të forta të kapacitetit të transportit ajror të ushtrisë ruse. Ata mund të ulen dhe të ngrihen në kushte të vështira. Ushtria ruse besohet se ka mbi 100 të tilla në flotën e saj.

Imazhet e analizuara këtë të premte nga agjencia “Associated Press” këtët të premte, tregonin ato që dukej të ishin avionë të shkatërruar Il-76 në platformën e bazës ajrore. Dëmet nga goditja mund të vëreheshin edhe përreth platformës.

Njëmbëdhjetë avionë të tjerë Il-76 u zhvendosën, ndoshta në një përpjekje për ta bërë më të vështirë që të goditeshin përsëri.

Imazhi satelitor është marrë në orën 13:03. sipas orës lokale atje.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të enjten se vendi i tij kishte zhvilluar një armë që goditi një objektiv 700 kilometra larg, me sa duket duke iu referuar sulmit ndaj bazës ajrore. Ai e përshkroi armën si të prodhuar nga Ministria e Industrive Strategjike të Ukrainës, por nuk dha detaje të tjera.

Oleksiy Danilov, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, sugjeroi në një intervistë televize të premten se arma mund të fluturojë edhe më larg se distanca e përmendur Zelenskyy./VOA